Veprimet e papëlqyeshme gjatë abdesit dhe faktorët që e prishin abdesin | Manul i Fikhut Hanefi

1.4. Veprimet e papëlqyeshme gjatë abdesit

Veprimet e papëlqyeshme gjatë abdesit janë:

1) Shpërdorimi i ujit.

2) Të qenit dorështrënguar në përdorimin e ujit për abdes.

3) E folura gjatë abdesit, përveç duasë (lutjes).

4) Të goditurit e fytyrës me shuplaka gjatë larjes.

5) Pasja e dikujt që të ndihmon për të marrë abdes, pa pasur një arsye të vlefshme për një gjë të tillë.

1.5. Faktorët që e prishin abdesin

Faktorët që e prishin abdesin përfshijnë gjithçka që del prej dy rrugëdaljeve njerëzore.

Përsa i përket rrugës vaginale, Ebu Hanifja është shprehur se shkarkimet e pastra vaginale që i ndodhin gruas gjatë ditëve normale nuk konsiderohen të pista, prandaj ato nuk e prishin abdesin. Ndërsa, nëse këto shkarkime likuidesh vaginale zotërojnë ngjyrë, atëherë ato nuk konsiderohen të pastra dhe abdesi konsiderohet i prishur.

[Prej faktorëve që prishin abdesin janë edhe] gjaku ose qelbi – kur ato rrjedhin nga trupi dhe lëvizin derisa të arrijnë në një pjesë të trupit, që është subjekt i normës ligjore të abdesit – si edhe të vjellët aq sa goja mbushet plot.

Thjesht shfaqja e gjakut ose qelbit në sipërfaqe të trupit nuk është e mjaftueshme që abdesi të quhet i prishur. Abdesi konsiderohet i prishur vetëm kur gjaku ose qelbi dalin në sipërfaqe të lëkurës dhe rrjedhin përtej vendit ku ato janë shfaqur fillimisht. Gjaku e prish abdesin edhe në rastin kur shfaqet brenda gojës. Gjaku konsiderohet se ka prishur abdesin në rastin kur ai e mbizotëron pështymën ose është në sasi të barabartë me të. Sipas el-Shurunbulalit, në rastin kur gjaku shfaqet në gojë, nëse pas kësaj ngjyra e pështymës është e verdhë, atëherë gjaku nuk e ka mbizotëruar ende pështymën, por nëse pështyma është me ngjyrë të kuqe të fortë, atëherë gjaku e ka mbizotuar pështymën dhe abdesi quhet i prishur. Por nëse ngjyra e pështymës është rozë, atëherë sasia e gjakut dhe pështymës në gojë janë të barabarta, prandaj, për të qenë në anën e sigurtë, një ngjarje e tillë cilësohet se e prish abdesin. Për sa i përket të vjellës, kriteri për të përcaktuar se kur e vjella ka arritur masën aq sa goja mbushet plot është se në këtë rast e vjella duhet të jetë në sasi të atillë saqë personi ka vështirësi ta përmbajë atë që të mos t’i dalë jashtë gojës.

Kjo është norma ligjore nëse personi vjell vrer, ushqim apo ujë, por nëse ai vjell vetëm pështymë, atëherë abdesi nuk prishet. Ky është mendimi i Ebu Hanifes dhe Shejbanit, ndërsa Ebu Jusufi ka qenë i mendimit se vjellja e pështymës ose gëlbazës e prish abdesin, nëse sasia është aq e madhe sa goja të mbushet. Ky dallim në mendim vlen vetëm për pështymën ose gëlbazën që vjen nga gurmazi përmes stomakut, ndërsa sa i përket asaj që rrjedh nga mukozat e sinuseve dhe hundës, ekziston konsensus se ato nuk e prishin abdesin. Arsyeja për këtë ndryshim qëndron në faktin se Ebu Jusufi ka qenë i mendimit se pështyma ose gëlbaza që del prej stomakut, është e papastër, për shkak të afërsisë me stomakun i cili konsiderohet i prekur nga papastërtitë, ndërsa ajo që buron prej sinuseve apo hundëve, e ka origjinën në kokë që, me konsensus, nuk konsiderohet e prekur nga papastërtitë.

Në qoftë se personi vjell gjak në formë të mpiksur, aq sa goja mbushet plot, atëherë abdesi prishet, sepse [në këtë rast] gjaku është i zi dhe i djegur [d.m.th. i oksiduar]. Sipas Shejbanit dhe Ebu Hanifes, nëse ky gjak rrjedh në mënyrë normale, atëherë abdesi prishet, edhe nëse sasia e tij është e vogël. Kjo sepse stomaku nuk është burim gjaku; përkundrazi, ky gjak shkaktohet nga një plagë e brendshme.

Por nëse gjaku zbret nga koka deri poshtë, në vrimat e hundës, atëherë ekziston konsensus se ai e prish abdesin. Kjo sepse duke rrjedhur nga vrimat e hundës, gjaku ka prekur një zonë e cila përfshihet në abdes (d.m.th. hundën), ndaj së cilës aplikohet norma e larjes dhe pastrimit përmes abdesit.

[Prej faktorëve që e prishin abdesin është edhe] gjumi [në përgjithësi], [si edhe] në pozicionin shtrirë në anë ose mbështetur mbi dicka aq sa, nëse do të hiqej mbështetësja, atëherë personi do të rrëzohej. Këtu bën përjashtim rasti kur personi fle ulur, me të ndenjurat e mbështetura në tokë apo kur atë e kaplon gjumi duke ndejtur në këmbë, në ruku apo sexhde. Në një rast të tillë, abdesi nuk konsiderohet i prishur. Në medhhebin hanefi ekziston një parim, sipas të cilit, nëse personi fle në një nga pozicionet e namazit, d.m.th. në pozicionin kijam, ruku, sexhde apo në pozicionin ulur, atëherë abdesi i tij nuk konsiderohet i prishur.

[Në të njëjtën kategori hyn edhe] humbja e vetëdijes si pasojë e humbjes së ndjenjave dhe çmendurisë [ose dehjes], si edhe e qeshura e zëshme [kahkahah], gjatë atyre namazeve në të cilat kryhet ruku dhe sexhde.

Përsa i përket të qeshurës, kjo vlen qoftë kur qeshet me qëllim apo si shkak i harresës së momentit. Në arabisht ekzistojnë fjalë të ndryshme për të përshkruar të qeshurën. Fjala e përmendur në tekst është kahkahah (gajasje, qeshje e zëshme) dhe nënkupton atë të qeshur gjatë namazit, e cila dëgjohet nga ai që e kryen, si edhe nga njerëzit që qëndrojnë pranë tij. Sipas hanefijve, kjo lloj e qeshure e prish si abdesin, ashtu edhe namazin e atij që e kryen këtë veprim. Fjala tjetër, që nuk është përmendur në tekst, është dahik dhe i referohet asaj të qeshure e cila dëgjohet vetëm nga personi që po qesh. Sipas hanefijve, kjo lloj e qeshure e prish namazin, por jo abesin e personit në fjalë. Fjala e tretë është tebesum (buzëqeshje) dhe nëkupton vënien e buzës në gaz pa zë, e cila nuk dëgjohet as nga personi vetë e as nga ata që janë pranë tij. Kjo e qeshur nuk prish as abdesin, as namazin. Autori i tekstit është shprehur se kjo normë vlen vetëm në rastin kur personi është duke falur namaze në të cilat kryhet ruku dhe sexhde. Këtu p.sh. përjashtohet namazi i xhenazes, i cili nuk ka as ruku as sexhde apo sexhdja gjatë leximit të Kuranit. Nëse personi qesh gjatë namazit të xhenazes apo sexhdes të Kuranit, kjo i bën të pavlefshëm namazin dhe sexhden e tij, por nuk prish abdesin e tij.

Krimbat që dalin nga anusi [për ata që vuajnë nga kjo sëmundje] janë faktorë që e prishin abdesin, por nëse ata dalin prej ndonjë plage apo nëse korja e plagës bie, atëherë abdesi nuk prishet. Abdesi prishet edhe në qoftë se një plage i hiqet korja dhe prej saj rrjedh ujë, qelb ose diçka tjetër, me kusht që rrjedhja të jetë prej qendrës së plagës. Nëse nuk rrjedh asgjë, atëherë abdesi është i vlefshëm.