TRAJTESË MBI UDHËTIMIN SHPIRTËROR – PJESA 3 | NEXHMEDDIN-I KUBRÂ

Mbi rregullat e brendshme të udhëtimit

E para është mbajtja e nefsit në vëzhgim të paprerë. Pra, saliku duhet të vigjëlojë përherë mbi zemrën e tij. Ai s’duhet ta shpërfillë atë as për një çast, përndryshe do t’i dorëzohet epsheve dhe cytjeve të djallit. Ai duhet ta kuptojë se është nën mbikëqyrjen e paprerë të Zotit, sepse Ai ka thënë:

{Pa dyshim, Allahu është mbikëqyrës mbi ju} (4:1)

Pejgamberi (s) ka thënë:

Allahu shikon zemrat e juaja dhe jo sjelljen tuaj të jashtme a pasuritë e kësaj dynjaje.

E dyta është shprehja e përulësisë, modestisë dhe varfërisë përpara Zotit të botëve. Bajazid Bistami (Allahu ia lartësoftë shpirtin) ka thënë se një zë (sarush) e thirri nga brenda dhe i tha:

“O Bajazid! Të shumtë i kemi shërbëtorët. Ndaj, nëse Na kërkon, sill përulje dhe nevojë.”

Bajazidi vazhdon:

“Ti e di, me siguri, që je në nevojë të dëshpëruar për Zotin tënd në çdo çast, në shumë drejtime; pra ke nevojë për dritën e Tij udhërrëfyese si dhe shikimin e Tij mëshirues, udhëzimin dhe furnizmin e Tij në çdo çast. Po ashtu, ke nevojë për Atë në çastin e vdekjes, në mënyrë që drita e Islamit dhe dija e tij të të ruhen të paprekura në zemër. Edhe në varr ke nevojë për Atë, që t’u përgjigjesh me sukses pyetjeve të Nekirit dhe Munkerit. Vetëm Ai do të jetë miku yt në tmerret e varrit. Nevoja jote më e madhe është varësia ndaj Tij në Ditën e Kijametit, ditën e pendimit dhe keqardhjes, që Allahu të mund të ta ndriçojë fytyrën, të t’i fshehë cenet dhe të ta rrisë peshën dhe vlerën e veprave të mira në peshoren (mizan) e Tij, që Ai të ta lehtësojë fshirjen e llogarive dhe të ta japë librin e veprave në dorën e djathtë, që të t’i forcojë këmbët mbi Sirat dhe të të shpëtojë nga Zjarri duke të marrë në Xhennet. Bujaria e Tij më e madhe dhe favori më i shkëlqyer është që të të bekojë me të shikuarit e Tij beatifik.”

Këto janë nevojat e tuaja thelbësore në lidhje me Kujdestarin tënd në këtë botë dhe tjetrën. Ndaj dhe shprehja e varfërisë dhe përulësisë tënde para Zotit duhet të jetë në përputhje me varfërinë dhe nevojën tënde të vërtetë.

Rregulla e tretë është pendimi (teubeh) dhe keqardhja (inabeh) para Zotit, në të gjitha rrethanat: halli a pasurie, rehatie apo fatkeqësie. Për profetin Sulejman (‘a), Allahu ka thënë: {Ai ishte shërbëtor i mirë, se pendohej shumë} dhe ka thënë të njëjtën për profetin Ejjub (‘a), pasi Sulejmani (‘a) shihte Bamirësin në begatitë (ni’meh) e tija, kurse Ejjubi (‘a) Sprovuesin në vështirësitë e tija. As begatitë e gëzuara nuk ia mjegulluan shikimin e Furnizuesit të parit, e as hallet e sprovat nuk ia mbuluan shikimin e dorës së Dërguesit të tyre të dytit. Në secilin rast, ata ia njohën gjithçka të ndodhur Zotit.

Rregulla e katërt është dorëzimi (teslim) ndaj urdhrit të Zotit, të Lartit. Teslim do të thotë të dorëzuarit Zotit me zemër dhe trup, ku të dyja janë pronë e Tija. Dorëzimi e një prone të zotit të saj është kusht thelbësor. Pronari ka të drejtë ta kontrollojë pronën e tij dhe ta trajtojë në çdo mënyrë që t’i duket e duhur. Është në dorë të Tij ta nderojë ose poshtërojë robin e Vet, të fryjë jetë në të ose ta vrasë, t’i shkaktojë sëmundje ose t’i dhurojë shëndet.

Ndaj, salikut i kërkohet të mos ngrejë kurrfarë vërejtjesh ndaj vullnetit të Tij. Ai nuk duhet të ankohet as haptasi as fshehurazi, sepse protesta ndaj pronarit të vërtetë është absurditet dhe shkelje e të gjitha normave. Ankimi ndaj pronarit nga dikush që pretendon të jetë skllavi dhe dashuruesi i tij është e metë në dashuri, robërim dhe devotshmëri.

Rregulla e pestë është rida (kënaqja), d.m.th. pranimi i rrizqeve Hyjnore pa pyetur, ndonëse mund të jenë të hidhura. Besimtarët e zakonshëm gjejnë strehë tek durimi (sabr) kur u bie ndonjë fatkeqësi, por gjendja e të zgjedhurve në situatë të tillë është rida-ja.

Dallimi midis sabrit dhe ridasë është se durimtari (sabir), falë imanit të tij e përballon fatkeqësinë me durim; imani i tij mbetet i palëkundur dhe ai nuk shqetësohet në kohë halli; ai nuk shmanget kurrë nga rruga e të qenit shërbëtor i Zotit, sado e madhe dhe e padurueshme t’i jetë fatkeqësia, por zemra ia urren fatkeqësinë. Kurse i kënaquri (radi) e ka zemrën gjithmonë në gjendje të kënaqur dhe është i lumtur. Fatkeqësia dhe kamja nuk e ndikojnë, sepse çfarëdo që merr, ai e konsideron dhuratë të Mikut. Ai i shijon hallet e rëna mbi të nga i Dashuri dhe Miku, me po atë kënaqësi që shijon favoret.[2]

Rregulla e gjashtë është pikëllimi i vazhdueshëm (huzn). Pejgamberi (s) ka thënë: “Zoti e do çdo zemër të pikëlluar.” Lidhur me cilësitë e Profetit (s) tregohet se ai ishte gjithnjë në gjendje soditjeje e serioziteti. Sipas ‘urefave, çdo zemër e zbrazur nga pikëllimi nuk është tjetër veçse baltë. Si mund të jetë i hareshëm një besimtar kur s’e di çfarë i është shkruar nga pena e parapërjetësisë për fatin e vet: lumturi apo mjerim. Gjithashtu, ai është i pavetdijshëm për fundin e tij, sepse nuk e di si do ta fitojë të nesermen (me virtyt apo me ves). Ai nuk e di nëse bindja do t’i pranohet apo jo, dhe nëse mëkatet do t’i falen. Shejh Ebu’l-Hasan el-Kharkani ishte ndër njerëzit e pikëllimit. Një ditë, e pyetën për arsyen e pikëllimit të mistikëve të mëdhenj. Ai u përgjigj se ata duan ta njohin Zotin siç e ka hak të njihet. Por kjo është e pamundur, sepse askush nuk mund ta njohë Atë siç e meriton të njihet.

Rregulla e shtatë është mirëbesimi (husn al zann) në Zotin, më të Lartin. Ai ka thënë në një hadith kudsi:

Robin Tim e trajtoj sipas opinionit që ka për Mua; le të mendojë pra ç’të dojë për Mua!

Ndaj, është e domosdoshme për shërbëtorin e Zotit që të ketë mirëbesim tek Allahu apo mendim të mirë për Atë. Kjo pozitë arrihet nga shquarja e Cilësive të Bukurisë, të cilat përfshijnë bujarinë, zemërgjerësinë dhe faljen e Tij mëshiruese. Kushdo që nuk ka mirëbesim për Zotin ose opinion të favorshëm për Atë, duke e humbur shpresën në mëshirën e Tij i konsideron veset dhe mëkatet e tija si më të mëdha se shtrirja e bujarisë dhe mëshirës së Zotit. Kjo nënkupton t’i përshkruhet e metë dhe defekt Allahut.

Rregulla e tetë është se nuk duhet mbajtur vetja jashtë planit (makr) të Zotit, sepse Allahu ka thënë:

{A mos u siguruan atëherë nga plani i Allahut? Nuk ndihet kush i sigurt nga plani i Allahut përveç humbësve} (7:99)

Gjithashtu, Ai ka thënë:

{Nga robërit e Tij, më shumë i frikësohen Allahut të diturit} (35:28)

Kjo frikë dhe drojë lind tek ai që sodit cilësitë e madhështisë dhe zemërimit të Zotit. Sepse, në po atë mënyrë që Zotit njihet nga cilësitë e bujarisë dhe mëshirës, po ashtu njihet edhe nga zemërimi e fuqia e Tij. Allahu i Lartësuar ka thënë:

{Pa dyshim që do ta mbush xhehennemin me të gjithë xhinët dhe njerëzit} (11:119)

Një hadith tregon se Zoti do t’i thotë Ademit (‘a): “Ngrihu e hidhi në zjarr!” Ademi (‘a) do pyesë: “Sa?” e përgjigja do të jetë: “Nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë për çdo njëmijë”. Si mundet atëherë një rob, me barrën e tij, ta shmangë frikën nga zemërimi Hyjnor dhe fuqia e Allahut, kur është ndërgjegjësuar kështu për të?!

Rregulla e nëntë është dashuria (mahabbeh). Lidhur me të, Allahu ka thënë:

{…Ai i do dhe ata e duan…} (5:54)

Dashuria është esenca e të gjitha rangjeve (mekamat) dhe virtyteve (keramat), me anë të të cilave ai do të arrijë shkallët e larta të udhëtimit (suluk). Dashuria është fryti i njohjes së Emrave të Bukur të Zotit. Askush nuk zotëron bukuri përveç Zotit. Çdo bukuri dhe përsosje që vërehet ndër krijesa është në të vërtetë një thërmijë nga dielli i bukurisë së Tij, një pikë nga oqeanet e përsosjes së Tij. Nëse bukurinë dhe përsosjen e konsideron të kufizuar në format materiale dhe gjërat e kësaj bote, ta dish se je burgosur në botën e formës dhe je privuar nga vështrimi i realitetit. Sepse, bukuria e vërtetë dhe përkryerja intelektuale gjenden në thelbin e një qenieje që zotëron fuqi dhe jetë, e cila ka cilësitë e bujarisë, bamirësisë, durimit dhe është e zbrazët nga çdo e metë dhe defekt. Pikërisht për këtë arsye bujari, fisniku dhe i dashuri duhen nga të gjithë. Po kështu, ushtari dhe trimi duhen për shkak të fuqisë dhe kurajos së tyre, kurse të diturit dhe të përzotshmit për shkak të ndershmërisë dhe virtytit që kanë.

Dihet se çdonjëra nga këto cilësi të lavdisë dhe bukurisë i janë të brendësishme Thelbit (dhat) Hyjnor, që i zotëron ato pafundësisht dhe përjetësisht. Mirëpo edhe qenie të tjera nga Allahu zotërojnë bukuri dhe përsosje, e cila megjithatë është e kufizuar, e numërueshme, aksidenciale (bi’l-‘arad), e fundme dhe e vdekshme. Edhe cilësit të tilla huazohen nga oqeani Hyjnor i begatisë dhe bamirësisë. Prandaj, askush përveç Zotit nuk meriton të duhet në kuptimin e vërtetë, sepse çdo formë bukurie (xhemal) buron prej Tij. Pra kushdo që do diçka tjetër veç Zotit është pa dyshim i verbër ndaj bukurisë së Tij.

Rregulla e dhjetë është heqja dorë nga vullneti (mashi’eh) dhe liria personale (ikhtijar) dhe vendosja e besimit të plotë tek Zoti i Gjithfuqishëm i botëve. Allahu ka thënë:

{Allahu shtron një parabolë: një rob që nuk ka asgjë në dorë, si dhe një tjetër të cilit i kemi dhuruar furnizim të mirë, të cilin ai e shpenzon fshehtazi dhe haptasi; a janë ata të barabartë?} (16:75)

Kështu, robi s’ka lidhje me lirinë, sepse liria u shkon për shtat të lirëve. ‘Urefatë kanë thënë që nëse kërkuesi ka edhe një dëshirë të vetme, atëherë shikimi i tij është i mbuluar nga perdet. Ata kanë thënë gjithashtu se kjo është më e madhja ndër të gjitha perdet, ndaj edhe dëshira e njësimit me Zotin është më e errëta perde e të gjithave. Kësisoj, kur edhe dëshira e afrisë me Zotin u konsideroka perdja më e trashë, ç’u dashka thënë për gjendjen e atij që është zhytur në dëshirat ndijimore dhe cytjet mondane? Prandaj, është thelbësore për kërkuesin që të jetë si kufoma në duart e larësve (ghussal), në mënyrë që të arrijë njësimin me Hakkun. Çdo dëshirë të largon nga Zoti.

Parimet e mësipërme janë më të rëndësishmet për përsosjen e brendshme, me të cilën duhet ta stolisë veten (nefs) saliku, që të pranohet në afrinë e Zotit. Përndryshe sinqeriteti dhe aspirata e tij do të konsiderohet e rreme, dashuria e tij do të jetë thjesht një pretendim i gënjeshtër; ndonëse mund ta mbajë veten për udhëtues drejt Zotit, në të vërtetë ai është zhytur në moçalet e sensualitetit.

Shënim:

[2] Në të famshmen Khutbe Hammam të tij, duke përshkruar cilësitë e besimtarit, Imam `Aliu thotë:
…Ai është i lumtur në fatkeqësi ashtu si edhe në rehati.