QYTETI 400 VJEÇAR QË U THEMELUA NGA XHAMITË – TIRANA | 2

Në fillim të shekullit të 18-të, Tirana kishte filluar të zgjerohet edhe nga ana veriore e pazarit, lagjet dhe mëhallat morën emrat e xhamive, që u ndërtuan brenda tyre, në vendet më të zgjedhura, si mëhalla e Sulejman Pashës, e Mujos, e Fires, e Zajmit, më vonë mëhalla të tjera si ajo e Karapicit, Bërxollit, Kakonosit, Vathit, Tabakëve dhe e Terzive. Zemrën e qytetit të Tiranës e përbënte Xhamia e Vjetër me sheshin rreth saj. Rruga e sotme e Barrikadave, dikur përbënte aksin kryesor të strukturës urbanistike të qytetit. Anës saj qenë rreshtuar përveç Xhamisë së Vjetër edhe disa institucione të tjera islame.

Gjatë shekujve 15, 16 dhe 17, xhamitë bëhen objekte përcaktuese në ndërtimin e qendrave të qyteteve. Ato ndërtoheshin në pjesën më aktive të qytetit, pranë tregut dhe ndërtimeve të tjera publike të rëndësishme. Historianë, arkitektë e studiues të shumtë, thonë se qyteti i Tiranës u ngrit dhe u ndërtua mbi katër bërthama kryesore.

Bërthama e parë e qytetit lindi dhe hodhi shtat së bashku me xhaminë e vjetër të Sulejman Pashës në vitin 1614, në qendër të Tiranës. Bërthama e dytë e qytetit u krijua në fillim të shek. 18, rreth xhamisë së Firës, 600 m në Veri-Perëndim të xhamisë së parë, në vendin ku sot është shkolla Jeronim De Rada. Bërthama e tretë ndërtohet rreth xhamisë së Zaimit në 1775, në verilindje të xhamisë së vjetër. Bërthama e katërt nis me fillimin e ndërtimit të xhamisë së Et’hem Beut në vitet 1794-1821, e vendosur aty ku ndodhet edhe sot e kësaj dite. Veç kësaj në qendër të çdo lagje kishte një xhami, si ajo e Stërmasit në vitin 1840, e Karapicit më 1858, e Kokonozit dhe e Bërxollit të shek. XIX, Xhamia e Mujos, e Reçit e kështu me radhë.

Xhamitë, si ndërtesa që i shërbenin masës së gjerë të qytetarëve, morën edhe një zhvillim të madh arkitektonik me një pasuri të madhe artistike e përbërë nga dekoracione me motive floreale, me peizazhe të pikturuara dhe gdhendje druri e guri në kolonat, kapitelet, tavanet, mafilet, etj., duke u bërë një vlerë e jashtëzakonshme kulturore.

Belkizar 2

Historiani Bardhi shprehet se “Xhamitë e Tiranës përveç vlerave religjioze kishin edhe vlera të mëdha artiskike, ndoshta xhamia e Ethem Beut për shumë arkitektë është shprehja e xhamisë me elegante dhe më të bukur jo vetëm të Shqipërisë por edhe më tej.Me zhvillimin e ekonomik të Tiranës, edhe xhamitë ndërtoheshin të bukura, me minare elegante e me zbukurime të shumta, ku edhe këtu dallohet xhamia e Ethem Beut për elegancën e saj dhe për pikturat murale, që mbeten edhe sot një bukuri e jashtëzakonshme me vlera të pakrahasueshme me xhamitë e tjera. Ajo ka elemente edhe të artit perëndimor. Thonë që Haxhi Ethem Beu, ka qenë një njeri që njihte mirë jo vetëm lindjen por edhe perëndimin dhe piktorët që kanë pikturuar një pjesë të kësaj xhamie ishin nga Dalmacia (Italia).”

Të gjithë ato që fati i solli nga këto anë, nuk nguruan të përshkruanin bukuritë e tyre. Konsulli frëng në Shkodër A. Degrand, kur vizitoi Tiranën në vitin 1901, do të shkruante:

“Xhamitë e Tiranës janë të mbushura të gjitha me zbukurime dhe piktura me ngjyra kaq të gjalla, sa në ditët me diell krijonjnë një ndjesi gazmore. Nuk ka qytet tjetër në shqipëri, nga sa kam parë, që të shfaqë një karakter kaq intersant”
Ndërsa Edit Durham, në vitin 1904 do të përshkruante kështu Tiranën: “qyteti ishte jashtëzakonisht i pastër dhe shumë piktoresk. Xhamitë ishin tejmase të bukura, ngjyra ngjyra dhe të pikturuara me peisazhe të mrekullueshme.”

Në fillim të viteve ‘30 Tirana kishte rreth 40 xhami, ndërsa, përpara se komunizmi të shkatërronte ndërtesat e kultit, Tirana, vetëm qyteti, ka patur 27 xhami, e shumë pak prej tyre i shpëtuan “terrorit të kuq”. E ndërsa sot, Tirana është qyteti më i madh i Shqipërisë, qendra më e madhe sociale dhe kulturore e vendit, me një popullsi domunuese myslimane dhe ka vetëm 8 xhami kryesore.

Xhamia-e-Karapicit-dhe-Ethem-Beu

Në të gjithë vendin shumë prona të Komunitetit Mysliman u shtetëzuan dhe u ndërtuan shkolla e ndërtesa të tjera publike. “Në qendër ku sot ndodhet Teatri i Operës dhe Baletit ka qenë Xhamia e Karapicit, tek ushtari i panjohur ka qenë Xhamia e Sulejman Pashës. Tek tregu çam Xhamia e Zelve, sot shkolla Kostandin Kristoforidhi, Xhamia e Beshirëve, sot shkolla Sami Frashri, Xhamia e Haxhi Jasës, sot Materiniteti Geraldinë, Xhamia e Islam Allës, sot shkolla Jeronim Derada, e shumë të tjera në vend të të cilave janë ndërtuar godina shumëkatëshe”, tregon myftiu i Tiranës Ylli Gurra.

Xhami që mbanin mbi vete copëza të rëndësishme të historisë së Tiranës, u shkatërruan sistematikisht, për të shkëputur lidhjet me të kaluarën dhe t’i përgjigjeshin kushteve dhe rrethanave të reja, të krijuara nga ideologjia komuniste.

Xhamitë nuk luanin vetëm rolin e tyre primar, atë të vendkryerjes së adhurimit, ato luan gjithashtu edhe nje rol të madh social. Lidhur më këtë sociologu Gëzim Tushi nënvizon se “Xhamitë janë institucione të dorës së parë të rëndësishme me vlera sociale të pallogaritshme, me vlera humane shumë të mëdha, me vlera purifikuese, të shpirtit të njeriut duke e bërë ata më të mirë e më njerëzorë. Unë jam i bindur që në institucionet e kultit mysliman, në xhamitë, gjithnjë e më shumë predikohet humanizmi, solidariteti, mbështetja e të varfërve, mbështetja e njerëzve në nevojë, lidhjet humane mes njerëzve, në këtë pikëpamje dobia e tyre sociale është shumë e madhe. Shoqëria shqiptare pret shumë prej tyre, janë institucionet më të rëndësishme dhe më të vjetra të qytetërimit në këtë pikëpamje do të dëshiroja një kujdes më të madh për to, një përmirësim të kushteve.”

Pas viteve ’90, gradualisht në Tiranë filloi “modernizimi” edhe ato pak objekte që kishin mbetur po u zihej fryma nga betonizimi. Gjatë kësaj kohe u vunë në funksionim disa xhami, ndërmjet tyre vetëm Xhamia e Et’hem Beut ishte mirëmbajtur si muze, e cila sot është më e frekuentuara nga vizitorët vendas dhe të huaj, për shak të bukurisë dhe historisë që ajo mbart mbi supe. Ndërsa xhamitë e tjera të si ajo e Kokonozit, e Tabakëve dhe ajo e rrugës së Kavajës, patën nevojë për investime të mëdha për t’i kthyer në identitet. Sot kapaciteti i tyre është dyfishuar. Më vonë u ndërtuan edhe xhami të reja si ajo e Xhurës tek “Oxhaku”, xhamia në bllokun e ndërtesave të Al’Maku-t dhe INSIG. Është përshtatur mjaft mirë për falje edhe një sallë në Medrese, që quhet Xhamia e Medresesë, që u nis vetëm për nxënësit e shkollës, por në të kryejn ritet fetare edhe shumë nga banorët e lagjes.

“Në kushtet e sotme të jetës moderne institucionet e kultit fetar janë shumë të rëndësishme dhe kanë një vlerë të madhe. Moderniteti ka sjellë shumë probleme, shumë paqëndrueshmëri dhe njerëzit kanë nevojë të gjejnë burime të sigurta të orientimit social, dhe institucionet fetarë janë unikale për sa i përket orientimit dhe ndikimit në shpirtin e njeriut. Në Shqipëri po vihet re gjithnjë e më shumë lidhja e njerëzve me objektet e kultit, kryesisht xhamitë. Sa më shumë xhami të ketë, sa më të përhapura të jenë ato, aq më mirë është, pasi në këtë kohë moderne nuk është e lehtë ti mbledhësh njerëzit ashtu siç bëjnë objektet të kultit, konkretisht xhamitë”, shprehet z. Tushi.

Realiteti është i dhimbshëm, të gjitha ato objekte kulti që i dhanë jetë kryeqytetit, u ndoqën nga zinxhiri shkatrrimtar, ku identiteti dhe historia u përçmuan, u rrënuan, u grabitën. Por ajo që nuk mund të shuhet është se banorët e këtij qyteti janë të vetëdijshëm se gurëthemeli i parë i Tiranës është Xhamia e Vjetër, ajo e cila i dha frymë dhe jetë qytetit.

Ndoshta një rreze shprese ka mbetur ende. Ajo është Xhamia e Namazgjasë, edhe pse peripecitë për të mesa duket nuk kanë të sosur, ajo premton të ngrihet mbi themelet e traditës dhe kulturës së hershme islame shqiptare, që do të mishërojë edhe traditën e gjatë dhe origjinale të xhamive tona, e duke i rikthyer sadopak trashëgiminë e humbur kryeqytetit të shqiptarëve.

Shkruan: Ferit LIKA – pjesa e dytë
| Revista “Drita Islame”, Janar, 2014.