Pse quhet hadithi i Xhibrilit?

Këtë hadith dijetarët islamë shpesh e kanë quajtur si hadith i Xhibrilit për shkak të paraqitjes së Xhibrilit në mënyrë objektive, në formën e një burri të panjohur. Xhibrili të gjithë ashabët – pjesëmarrësit i befasoi me paraqitjen e tij përmes modelit dhe elegancës që reflektonte nga ana objektive. Po ashtu i befasoi me pyetjet bazë që ia parashtronte Resulullahut, e që vetë pyeste dhe vetë i konfirmonte në formën e një njeriu përplot dije dhe korrektësi. Kur kishte ardhur Xhibrili, Resulullahu a.s.nuk e kishte njohur. Për këtë tregon ai: “Nuk më ka ardhur i personifikuar (Xhibrili) e Unë të mos e njoh atë, përveç kësaj here”.

Atë e kishte njohur vetëm pasi ishte larguar nga kuvendi i Tij. Askujt, e as Resulullahut a.s. nuk u kishte shkuar ndërmend se ky njeri që po pyeste ishte Xhibrili a.s., i cili kishte ardhur nga qielli me këtë paraqitje dinjitoze për t’ia mësuar themelet dhe bazat e fesë Islame. Emri Xhibril është me prejardhje joarabe, nga gjuha e vjetër siriane, që d.m.th. – Abdullah (rob i Zotit). Detyra e tij ishte bartja e dërgatës nga Allahu xh.sh. tek të dërguarit e Tij. Resulullahu e kishte parë Xhibrilin në formën e tij të vërtetë dy herë. Një herë në tokë, në kodrën e Mekës El-Harra, në fillim të mërgatës pas ndërprerjes. Paraqitja e tij ishte aq madhështore, saqë kishte mbuluari tërë qiellin. Dhe herën e dytë e kishte parë në qiell, në Sidretul Munteha (në qiellin e shtatë), në Natën e Israsë dhe Miraxhit.

Kjo paraqitje e Xhibrilit në formën e njeriut tregon se melekët kanë mundësi të personifikimit apo të personalizimit në çfarë forme të dëshirojnë. Por ato personifikohen vetëm në formë të krijesave të bukura, ndryshe nga exhinët, të cilët më së shumti personifikohen në forma të neveritshme, trishtuese dhe të këqija. Xhibrili paraqitej në formën më të bukur të mundshme. Këtë e tregon edhe ky transmetim: “Ai (Xhibrili) ishte njeriu me fytyrën më të bukur, njeriu me erën më të këndshme, sikur teshën e tij të mos e prekte ndyrësira”.(2)

Në disa raste i ishte paraqitur Profetit a.s. në formën e ashabit Dehjetul Kelbij. E ky i fundit ishte i njohur për pamjen dhe madhështinë e bukurisë që posedonte. Me paraqitjen e Xhibrilit në këtëformë të bukur mahnitëse, Allahu xh.sh. deshi që besimtarëve t’ua mësonte disa rregulla dhe norma se si duhej të dukej kërkuesi i diturisë, nxënësi, studenti etj., për nga pastërtia e veshjes dhe e trupit; se si duhet të dukej besimtari i cili ia mësyn xhamisë, me formën e bukur, pastërtinë e rrobave, erën e këndshme.

Ai na mësoi formën dhe etikën e pyetjes dhe të dialogut, metodën e dialogut që ka ndikim më të ndjeshëm në shpirtin e njeriut sesa metoda e ligjërimit. Vetë ulja e Xhibrilit në formën e namazit (teshehudit) para Profetit a.s., jep të kuptohen shumë gjëra të etikës.

© 2018, fryma.org. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndihmoni në mirmbajtjen e webfaqës duke klikuar në reklamat që shafqen në mbrendi të tekstit.