Personaliteti që la gjurmë botës SUNNITE: HAXHI BEKTASH VELIU | Ejmen A.Ismaili

Historia e tarikatit bektashian fillon me jetën dhe veprën e themeluesit të tij Haxhi Bektash Veliut. Haxhi Bektash Veliu është një sufi i madh, i rritur dhe i edukuar prej shejhlerëve të tarikatit Jesevi. Edhe pse ky person i lartë do të lërë gjurmë të thella në shoqëritë Islame/Sunnite pas shekullit të XIII, shumë pak realitete dimë për jetën e tij. E tëra që transmetohet për Haxhi Bektash Veliun, është nxjerrur prej legjendave.

Burimet kryesore për jetën e Haxhi Bektash Veliut gjenden në “Vilajetname” a “Menakib-i Haxhi Bektash-i Veli”, i shkruar pas dy shekujve nga myridët të tarikatit të tij. Ashëkpashazadeja në “Tevarih-i Al-i Osman” dhe Eflak’u në “Menakibu’l-Arifin”. Në “Vilajetname” hasim se Haxhi Bektash Veliu, është i biri kryetarit të Horasnit Ibrahim es-Sani Sejjid Muhamedit dhe Hatmes, bija e dijetarit të Nishapurit, Shejh Ahmedit. Emri i tij është Muhamed, kurse llagapi Bektash rrjedh prej persishtes, që do të thotë: shok, i njëjtë, i ngjashëm. Tek disa burime para emrit të tij të vërtetë përdoret ca herë llagapi Hynkar, që ka kuptim: sulltani, perandori. Kurse, llagapin e tij Haxhi e merr pas një kerameti.

John Kingsley Birge, një orientalist i mirënjohur, duke u bazuar në dorëshkrimin të gjetur në Bibliotekën e Universitetit të Stanbollit dhe në bazë të llogaritjes sipas Ebxhed-it, pohon se Haxhi Bektash Veliu ka lindur në vitin 645/1247 ose 646\1248. Ardhja e tij prej Horasanit në Anadoll është në vitin 680\1281, kurse ndërroi jetë më 738/1337, që do të thotë jetoi 92 vjet.

Haxhi Bektash Veliu mësimet e para i mori në Nishapur, ku i mësoi jurisprudencën Shafi’i, arabishten dhe persishten. Në edukimin e tij shpirtërore, u kujdes zëvendësi Ahmed Jeseviut[1] , Llokman Perende’ja.

Haxhi Bektash Veliu erdhi në Anadoli në shekullin XIII, ku në ato vise ishte masive ikja e njerëzve në Anadoli, për arsyje të pushtimit mongol.

Çështja e ardhjes së Haxhi Bektash Veliut në Anadoli është një moment me rëndësi dhe vendimtar në themelimin e tariaktit Bektashian, prandaj edhe është bërë temë e legjendave të ndryshme. Në një legjendë thuhet kështu:

“Evlijatë e Rumit (Anadolisë) janë ulur rreth Karaxha Ahmetit dhe bisedojnë. Përnjëherë vajza e Sejjid Nureddinit u drejtua dhe tha: “Alejkumu’s-selam ja Veli Benan”. E pyetën: “Çfarë u bë, me kë u përshëndete?” “Sot në Anadoli erdhi një evlija i vërtetë”, tha – “selamin e tij e mora”. Haxhi Bektash Veliu shndërrohet në pëllumb dhe shkon e ulet mbi një gurë në Suluxha Karahojuk. Sulltani i evlijave të Anadolisë Karaxha Ahmedi kontrollon tërë Anadolinë por nuk sheh asnjë të ardhur tjetër pos këtij pëllumbi. Atëherë Karaxha Ahmedi e dërgon Haxhi Tugrullin në formë të shqiponjës që ta zerë atë pëllumb, mirëpo sa i afrohet Haxhi Bektash Veliu kthehet në formën e tij dhe e kapë për fyti shqiponjën dhe thotë: “Evlijaja evlijanë nuk e pret në këtë mënyrë, unë ju erdha në formë të një shpendi të butë kurse ju m’u vërsulët si egërsirë.” Atëherë, Haxhi Tugrulli i përgjigjet: “Sikur të kishim gjetë formë më të butë se pëllumbi ashtu do të kishim ardhë, mirëpo nuk gjetëm dot.”“[2]

Edhe pse legjenda nuk është ndonjë dokument me rëndësi të madhe historike, prapseprapë në mënyrë simbolike paraqet vendin e Haxhi Bektash Veliut në vargun e tesavvufit Islam si dhe burimin e lartësisë shpirtërore të tij.

Haxhi Bektash Veli, ishte një ndër personalitet kryesore, fetare (sunnite) që ndikuan në formimin dhe organizimin e jetës socio-ekonomike të Perandorisë Osmane dhe po ashtu edhe në jetë e fetarsisë së popullit Osman.

Sami Frashëri, pohon se Haxhi Bektash Veliu ishte takuar edhe me Sulltanin të 2-të të Perandorisë Osmane, Orhan Gaziun dhe të 3-tin Murat’in të parë, Çliruesi i Kosovës dhe ishte hapëruesi i parë për formimin e Jeniçerive:

“Haxhi Bektash Veliu është një prej evlijave të lartë, me prejardhje prej qytetit Nishapur të Horasanit. Pasi në Horasan mësoi dituritë shpirtërore prej shejh Llokmanit në shekullin e 8 hixhrijj u shpërngul në Anadoli. Gjatë veprimtarisë së tij në Anadoli atë e viziton Orhan Gaziu dhe merr bekimin e tij. Madje edhe në formimin e jeniçarëve ai i është lutur Allahut për suksesin e tyre. Sipas një transmetimi edhe emrin jeniçar ua ka dhënë vetë Haxhi Bektash Veliu. Madje ka nxjerrë njërin krah të hërkës (mantelit) të tij dhe ia ka lidh në krye të parit të jeniçarëve. Pjesa e kuqe e varrur në kapuçët e jeniçarëve ka mbetë prej kësaj dite. Haxhi Bektash Veliu ka qenë evlija me grada dhe qeramete të larta. Jetë ka ndërruar në kohën e Sulltan Muradit të Parë (Hudavendigarit) dhe është varrosur në Haxhi Bektash rreth Kërshehirit. Tyrbeja e tij është vend vizite për tërë popullatën. Rreth tyrbes së tij ka edhe ndërtesa të tjera. Edhe pse konsiderohet pir i tarikatit Bektashian ai nuk i ka vendosur principet e këtij tarikati, por një dervish tjetër me emrin Ballëm Sulltan, i cili njëkohësisht ka ndërtuar edhe kompleksin e Teqesë së Haxhi Bektashit.”[3]

Veprat të Haxhi Bektash Veliut lanë gjurmë në letërsinë sunnite/sufite. Veprat më kryesore të tij janë:

1. KITABU’L-FEVAID – është përmbledhje e fjalëve dhe mësimeve të urta nga Haxhi Bektash Veliu.
2. SHATHIJJE – Ky traktat përbëhet prej 2 faqeve. Nga Enveri, një shkrimtar Nakshibendi, në vitin 1680 është komentuar dhe botuar si: “Tuhfetu’s-Salikin”. Shat-hijjat do të thotë fjalët që janë përdorur nga sufijtë në momente të ekstazës.
3. SHERH-I BESMELE – Ky traktat është 57 faqe, në këtë traktat Haxhi Bektash Veliu ka bërë komentin dhe ka paraqitur urtitë e fjalës së thuhet para se të fillohet të lexohet Kur’ani Famëlartë: “Bismil-lahirrahmanirrahim”.
4. MAKALAT- Padyshim është vepra më voluminoze dhe më e njohur e Haxhi Bektash Veliut. Vepra është shkruar në gjuhën arabe. Në këtë vepër Haxhi Bektash Veliu e tregon lidhjen e ngushtë të Sheriatit (ligjet fetare, shm. falja e namazit, ndalimi i alkohoolit… etj. shtesë nga autori), Tarikatit (rrugës shipërtërore), Marifetit (gnosës) dhe Hakikatit (realitetit), dhe këta i diskuton mbrenda 11 makamëve.

Përveç veprave të sipërpërmendura janë edhe disa vepra që nuk është sigurtë a janë të Haxhi Bektash Veliut: Komenti i Sures Fatiha, Makalat-i Gajbijje ve Kelimat-i Ajnijje, Hurde-Name dhe Ussu’l-Hakika.

Përmbledhi: Ejmen A.Ismaili, Shkup.

Fusnotat:
[1] Ahmed Jeseviu, është themeluesi tarikatit Jesevi (tarikat sunnite).
[2] “Haxhi Veli Bektashi Dhe Vepra E Tij Makalat”, Metin Izeti.
[3] Kamusu’l-Alam. Shemsettin Sami, Istanbul 1306\1889, vëll.II,f.1332.