PËRFAQËSIMI I VËRTETË I FESË NË SHEMBULLIN E PEJGAMBERIT A.S. | PROF. DR. METIN IZETI

“Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit” (Nahl, 16:125); “ … e ti (o Muhammed) thirri te Zoti yt, se pa dyshim ti je në një rrugë të drejtë” ( Haxhxh, 22:67); “O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtarë përgëzues dhe qortues” (Ahzab, 33:45).

Ajetet e sipërpërmendura dhe një numër i konsiderueshëm i ajeteve tjera në Kur’an në mënyrë direkte ose indirekte përfaqëson mënyrën e vërtetë të prezentimit të fesë edhe atë nëpërmjet të shembullit të Pejgamberit a.s.. Përjetimi i vërtetë vlerave fetare në shoqëritë e pejgamberëve dhe brezave të ndryshëm të historisë së shoqërisë njerëzore i nxjerr ata prej të qenurit utopiste dhe të pakapshme për njeriun. Si pejgamberët tjerë ashtu edhe Muhammedi a.s. në proçesin e thirrjes dhe përkujtimit të vlerave të vërteta njerëzore dhe fetare ka ndjekur vijën e shpalljes dhe vetëm nëpërmjet të saj ka arritur të jetë i suksesshëm. Ky proçes profetik njëkohësisht është edhe shembull për ithtarët e tij në përfaqësimin e vlerave të prezentuara nga ana e Pejgamberit a.s.. Ka disa karakteristika të cilat dukshëm kanë ndikuar në suksesin e pejgamberëve e posaçërisht të Pejgamberit a.s.. Ndër më të rëndësishmet mund të përmenden:

1.Dija Allahu xh.sh. të dërguarit e Tij i furnizoi me dije më të lartë se popujt të cilëve ua prezentonin të vërtetat hyjnore. Ademit a.s. ia mësoi emrat (konceptet), Idrisin a.s. e ngriti në një pozitë të lartë, Sulejmanit a.s. ia mësoi gjuhën e gjallesave, Davudit a.s. dhe Jusufit a.s. ua mësoi hikmetin (urtinë), Musait a.s.ia dha muxhizen me të cilën i mposhti të gjitha magjitë e magjistarëve më të lartë, Isait a.s. ia mësoi mjekësinë sipërore, kurse për Muhammedin a.s. në Kur’an thotë: “… Allahu të shpalli ty, librin dhe sheriatin, të mësoi çka nuk dije…” ( Nisa, 4:113).Pikërisht për këtë prezentuesi i vlerave të vërteta Islame duhet të jetë i furnizuar mirë me dituri për gjërat të cilat i prezenton, ai duhet shumë mirë të njohë tërësinë e urdhërave dhe ndalesave fetare të prezentuara në burimet kryesore, në Kur’an dhe Sunnet. S’do mend se individi nuk ka mundësi të sqarojë vlerat të cilat vetë nuk i ka të qarta sa duhet. Për pasojë ai duhet të njohë mirë edhe diciplinat e kohës dhe hapësirës në të cilën jeton , të njohë imtësitë e gjuhës , të dijë si fillon dhe si mbaron fjalia dhe çfarë kuptime mund të dalin prej saj, të ketë njohuri evidente për përmasën sociale, fizike dhe kulturore të shoqërisë ku përfaqëson vlerat dhe të vërtetat fetare.

2.Estetika e të folurit Të folurit estetik dhe struktura e mirë e fjalive është mjaftë e rëndësishme në prezentimin e vlerave fetare. Për të qenë fjala më estetike ajo ka nevojë të rrjedhë prej çiltërsisë dhe sinqeritetit të zemrës. Bisedat që nuk e posedojnë përmasën e sinqeritetit dhe zemrës nuk kanë mundësi të jenë estetike edhe atë për një shkak shumë të thjeshtë, për shkak se estetika është diciplinë shpirtërore dhe nuk e duron mashtrimin. Bisedat që janë larg prej sinqeritetit ose janë të dobëta nga aspekti i retorikës ose janë jonxitëse nga aspekti i qëllmit. Kur’ani në lidhje me këtë thotë: “ A nuk ke kuptuar se si Allahu bëri shembull fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët esaj janë thellë e degët e saj janë lartë, E që me vullnetin e Zotit ajo jep frutin e vet në çdo kohë. Allahu, pra u parashtron njerëzve shembuj ashtuqë ata të mendojnë. Dhe shembulli i fjalës së keqe si një pemë e keqe që është shkulur mbi tokë e që nuk ka të qëndruar” ( Ibrahim, 14:24-26). Krahas këtij parimi duhet të kihet parasysh edhe ajo se në të gjitha mjediset nuk ka mundësi të përdoret metoda e njëjtë. Pejgamberi a.s. fliste rrjedhshëm, fjalët e tija ishin të qarta, sqarimet ishin të bukura, metodat e tija ishin të ëmbla, vërejtjet simpatike, fjalët e tija ishin mjaftë motivuese, edhe kur hidhërohej ishte i urtë, në çdo moment ishte i zgjuar, ishte tepër i mëshirshëm dhe kishte konsideratë për problemet e njerëzve. Pejgamberi a.s. nuk fliste pa nevojë dhe nuk fyente askend gjatë bisedës së tij. Në ndejat ku fliste Pejgamberi a.s. asnjëherë nuk flitej me zë të lartë e as që ai duke ligjëruar e ngriste tepër zërin.

3. Modestia dhe Butësia Allahu xh. sh në Kur’an urdhëron: “ Ti thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata ma atë mënyrë që është më e mira…” (Nahl, 16:125). Prezentimi i parimeve fetare duhet të bëhet me urti, këshillë të mirë, gjuhë të ëmbël dhe me modesti pasi kjo mënyrë është e vetmja e cila ka mundësi të ledhatojë zemrën e bashkëbiseduesit ose masës të cilës i drejtohemi. Allahu xh. sh. kur e dërgoi Musain dhe Harunin a.m.s. te Faraoni iu tha: “ Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtetë e ka tepruar. Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet” (Ta Ha, 20:43-44). Bisedat të cilat në vehte përmbajnë kryelartësi, dozë të dhunës dhe kërcënimit shumë pak mund të nxisin dhe motivojnë bashkëbiseduesit në pranimin e të vërtetave. Kur’ani e urdhëron Pejgamberin a.s. që të mos jetë i ashpër dhe kërcënues. Në Kur’an thuhet: “ Ti ishe i butë ndaj tyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të shkapërderdheshin prej teje…”(Al-i Imran, 3:159). Për pasojë individët të cilët kanë dëshirë të prezentojnë të vërtetat fetare duhet të jenë të butë, të qetë dhe të flasin butë e ëmbël. Karakteri njerëzor në esencë ka averzion ndaj fjalëve të ashpra dhe fyese. Gjithashtu edhe Modestia ishte një prej karakteristikave themelore të Pejgamberit a.s.. Ai asnjëherë veten nuk e shihte më të vlefshëm se të tjerët, nuk bënte ndarje në pikpamje të krijimit mes njerëzve. Ai nuk kishte aspak kryelartësi dhe urdhëronte se ai që ka një grimcë të kryelartësisë nuk do ta shohë me sy xhennetin. Ditën kur u çlirua Mekkeja, përderisa shokët e Pejgamberit a.s. e pastronin Qaben prej idhujve ai shkoi në kodrën Safa dhe u ul të pushojë në një vend pak më të lartë. Banorët e Mekkës të cilët e pranonin në ato momente Islamin vinin dhe deklaroheshin për pranimin e Islamit para Muhammedit a.s.. Në mesin e tyre edhe Ebu Bekri r.a. kishte marrur për dore babain e tij plak i cili ende nuk ishte musliman dhe kishte ardhur para Pejgamberit për të pranuar Islamin. Kur e pa Pejgamberi a.s. tha: “Pse e ke munduar plakun të vijë deri këtu? Unë do të shkoja tek ai”.Ai kështu sillej me njerëzit dhe në këtë sjellje të tij ishte i fshehur sekreti i suksesit të Tij.

4.Zemërgjerësia dhe Mëshira Zemërgjerësia dhe mëshira janë ndjenja të cilat e zbusin ashpërsinë, e shkrijnë urrejtjen dhe hidhërimin dhe në vend të armiqësisë e vendosin miqësinë. Vetë thirrja në Islam dhe prezentimi i vlerave Islame është një lloj i zemërgjerësisë dhe mëshirës. Pasi me të njeriu dëshiron që vlerat të cilat i posedon vetë dhe për të cilat mendon se janë të vërteta t’ua bartë edhe të tjerëve. Karakteristika kryesore e Pejgamberit a.s. ka qenë mëshira dhe sjellja me zemërgjerësi ndaj njerëzve. Kur’ani thotë kështu: “ Juve ju erdhi i dërguar nga lloji i juaj , atij i vie rëndë për vuajtjet tuaja sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët”( Tevbe 9:128); “ E Ne të dërguam o Muhammed vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat” ( Enbija 21:107). Pikërisht për këtë personi i cili merr përsipër prezentimin e vlerave të përfaqësuara në shembullin e Pejgamberit a.s. duhet të jetë i mëshirshëm dhe zemërgjerë ndaj problemeve dhe të posedojë shpirt i cili gjithnjë do t’ia dëshirojë të mirën njerëzimit.

5.Marrëdhëniet ndërnjerëzore Nëse analizohen me vëmendje jeta, sjelljet dhe porositë e Pejgamberit a.s. që ua ka bërë të tjerëve do të shihet qartë se ai me sjelljet e tija pozitive ka punuar edhe në ndërtimin e personalitetit të brendshëm gjegjësisht në orientimin pozitiv të ndjenjave dhe dëshirave të njerëzve por edhe në rregullimin e marrëdhënieve mes njerëzve duke mos u lënë derë të hapur përleshjeve dhe kacafytjes së interesave. Pejgamberi a.s. aq sa u kushtonte rëndësi ibadeteve kryesore aq u kushtonte rëndësi edhe marrëdhënieve ndërnjerëzore. Një ditë duke ndejtur me shokët, Pejgamberi i pyeti: Kush sipas jush ka bankrotuar (muflis)? Shokët i thanë: “Sipas nesh i bankrotuar është ai i cili e ka humbur tërë pasurinë dhe paratë”.Ndërsa Pejgamberi a.s. u ka thënë: “ I bankrotuar prej ummetit tim është ai që në ditën e kijametit do të dalë me namaz, agjërim dhe zeqat por njëkohësisht edhe me fjalë fyese të përdorura për njërin, me shpifje për një të dytë, të tretit ia ka ngrënë pasurinë pa të drejtë, të katërtit ia ka derdhur gjakun pa të drejtë, të pestin e ka rrahur dhe i tillë do të dalë para Allahut xh.sh.. Atëherë sevapi i ibadeteve të bëra do t’ju jepet atyre që kanë hak në te dhe në fund edhe gjynahet e tyre do t’i ngarkohen dhe si pasojë e tërë kësaj do të hudhet në xhehennem”. Pejgamberi a.s. ummetit të vet ia ka tërhjekur kujdesin që të jetë i edukuar në gjuhë, të mos rrejë, të mos shpifë, të mos përgojojë dhe të mos ngjallë përleshje në mes njerëzve. Atij aspak nuk i vinte mirë që të flitet për dikë keq në mosprezencën e tij. Pejgamberi a.s. i kushtonte rëndësi të posaçme njeriut. Ai kur e shihte dikënd në rrugë e përshëndeste, afrohej ia jepte dorën dhe lutej për te. Ashtuqë secili prej njerëzve mendonte se Pejgamberi a.s. atë e do më shumë se të gjithë të tjerët. Pejgamberi a.s. gjithmonë e mbante fjalën dhe asnjëherë nuk tradhtonte premtimin e dhënë. Ata të cilët bënin një sjellje të këtillë i konsideronte si munafikë. S’do mend se edhe personi i cili pretendon të flasë dhe të sillet në emër të Pejgamberit duhet t’i ketë parasysh këta cilësi dhe sjellje të Pejgamberit a.s..

6.Etika dhe Morali Njëra ndër cilësitë esenciale të Pejgamberit a.s. për të cilën e lëvdon edhe Kur’ani është etika dhe morali i pashoq i Pejgamberit a.s.. Pejgamberi a.s. veten nuk e konsideronte mbi ligjet të cilat ua tregonte njerëzve, por atë që e fliste njëkohësisht edhe e vepronte. Morali i tij ishte Kur’ani dhe parimet e paluhatshme të tij. Nuk ka dyshim se prezentimi i vlerave krahas teorisë edhe në praktikë është më i suksesshëm se sa prezentimi i tyre vetëm me fjalë. Nuk ka asnjë vepër të cilën Pejgamberi a.s. ka kërkuar të bëhet kurse ai nuk e ka bërë. Për pasojë nuk është e logjikshme që prezentuesi i vlerave Islame prej të tjerëve të kërkojë vepra të cilat nuk i bën vetë. Jeta e Pejgamberit a.s. ka qenë metoda më frytdhënëse e thirrjes së tij. Kur’ani në këtë kontekst thotë: “ O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? Tek Allahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni”! ( Saff, 61:2-3). Morali i njeriut matet në të gjitha dimensionet e jetës së tij shoqërore. Morali i mirë i tij reflektohet në uljen, ngritjen, të folurit, heshtjen, ecjen , përgjigjen ndaj pyetjeve etj. Pejgamberi a.s. dëgjonte me vëmendje bashkëbiseduesin, kthehej në tërësi kah ai dhe gjithnjë përgjigjej me edukatë në pyetjet e parashtruara. Pejgamberi a.s. në vehte përmbante të gjitha cilësitë të cilat nevojiten t’i ketë një mësues dhe edukues. Për pasojë të gjithë ata të cilët kanë dëshirë ose pretendojnë të prezentojnë vlerat e përfaqësuara në shembullin e Pejgamberit a.s. duhet të ndalen dhe të analizojnë cilësitë dhe metodat parësore të Pejgamberit a.s., të mundohen që me ta piksëpari të stolisin vehten e pastaj të mundohen që në mënyrë adekuate t’i bartin në shoqëritë e tyre.

METIN IZETI

© 2017, fryma.org. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndihmoni në mirmbajtjen e webfaqës duke klikuar në reklamat që shafqen në mbrendi të tekstit.