NË VËMENDJEN E PUBLIKUT SHQIPTAR VJEN ABDURRAHMAN ABDI PASHA | ALSAR

Kundërshtari në fushën e betejës, i dha atij titullin “Armiku Trim”. Për herë të parë, në vëmendjen e publikut shqiptar vjen Abdurrahman Abdi Pasha, guvernatori i fundit osman i Hungarisë – me origjinë shqiptare – i fundshekullit XVII.
Në kuadër të aktiviteteve të shoqatës Alsar mbi shkencën, kulturën dhe arsimin, u zhvillua sot më datë 28 Janar 2016 simpozium me temë: “Armiku Trim, Kahrraman Düşman, Abdurrahman Abdi Arnavut Pasha, guvernatori i fundit osman i Hungarisë në fundin e shekullit XVII”. Secili prej kumtuesve në këtë simpozium, i dha një dimension ndryshe “Armikut Trim” – duke e pasuruar figurën e tij – por jo vetëm. Gjithashtu u përmend rëndësia që kanë pasur shqiptarët në Perandorinë Osmane, duke marrë si shembull në rastin konkret, Abdurahman Abdi Pashën. Vlen të përmendet se për këtë figurë, janë shkruajtur mbi 100 vepra.
Në këtë simpozium ishin të ftuar historianë dhe studiues të ndryshëm që mbajtën fjalë dhe ndër ta, mysafir i veçantë, ishte kryetari i Bashkësisë Islame të Hungarisë – gjithashtu historian – Dr. Zoltan Robert Bolek. Të ftuar të tjerë ishin studiuesi shqiptar i historisë Prof. As. Dritan Egro, mysafir nga Turqia Prof. Dr. Abdulkadir Ozcan si dhe Dr. Argon Islami nga Kosova.
Z. Mehdi Gurra, kryetari i shoqatës Alsar, moderoi simpoziumin dhe në fjalën përshëndetëse për të ftuarit mes të tjerash tha: “Shqiptarët, duke iu ngjitur superfuqisë që përfaqësonte Perandoria Osmane, filluan të luanin një rol të rëndësishëm në çështjet e Gadishullit Ballkanik dhe me kohën, vendosën pozitën e tyre në zonë. Elitat shqiptaro-osmane kanë patur pozita në Perandori që nga fillimet e saj e deri në ditët e saj të fundit. Roli i shqiptarëve ishte i rëndësishëm jo vetëm në politikë, në qeverisje, në administratë por edhe në kulturë, art, shkencë, letërsi etj.”
Në këtë sipmozium na nderoi me pjesmarrje zv. ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Sinan Cembaş, i cili shprehu falenderimet më të sinqerta për këtë organizim të veçantë duke iu uruar suksese të mëtejshme studiuesve.
Kumtuesi i parë në këtë simpozium ishte historiani Dritan Egro. Ai foli për rolet dhe konsideratat e rendësishme që kanë pasur shqiptarët në Perandorinë Osmane, ku ndër të tjera tha: “Studimi i elitës shqiptare paraosmane dhe procesi i integrimit të saj gradual në shekujt osmanë, kërkon së pari çlirim të plotë ideologjik, që do të thotë se, periudha osmane duhet konceptuar e vendosur brenda ligjësive historike të kohës në raport me botën islame dhe me atë të krishterë; së dyti, duhen kërkuar shkaqet që elitën mesjetare shqiptare e detyruan të reagonte në forma të ndryshme ndaj realitetit të ri që po instalohej në rajon.”
Miku ynë nga Turqia, Abdulkadir Ozcan, i bëri një përshkrim të detajuar jetës së Abdurrahman Abdi Pashës, duke sjellë shumë detaje mbi pozicionet që ka pasur, mbi strategjinë që ka përdorur në luftëra e shumë të tjera. Ai tregoi se: “Pas këtyre ngjarjeve prekëse – ngjarjet e luftës në kalanë e Budinit ku Abdurrahman Abdi Pasha ishte ai që e mbrojti për 78 ditë, me një numër të vogël ushtarësh në krahasim me ata të austriakëve – mes popullsisë turke lindi një këngë e famshme që fillonte me vargjet ‘Mos cicëro bilbil, mos cicëro bilbil se erdhi pranvera’ dhe çdo pjesë mbaronte me vargjet ‘E morën Budinin tonë të bukur’. Për shekuj me radhë, këto vargje u kënduan si këngë zie.”
Mysafiri nga Hungaria, ndërsa foli për Abdurrahman Abdi Pashën, solli disa fragmente për shqiptarë të tjerë të Hungarisë, ku spikati emri i Aranaut Uzun Ibrahimit, një tjetër pasha i Budinit. Zoltan Bolek tha : “Guximi i tij i jashtëzakonshëm edhe armikun e bëri ta nderojë. Në vendin e tij të vdekjes në kështjellën e Budës, kishin ngritur një përmendore, jo shumë larg nga porta e sotme e Vjenës. Në përmendore, ndërmjet të tjerash shkruhet:“Ishte një kundershtar hero, u prehte në paqe!”. Shumë pak e dinë se Hungaria, brenda 100 viteve të fundit, ka ruajtur lidhje serioze me Shqipërinë dhe me popullin shqiptar. Pas Luftës së Dytë Ballkanike, monarkia Habsburge dha miratimin për një shtet shqiptar të pavarur, në të kundërt me Serbët, dhe e ndihmoi me trupa princ Vidin. Pasi princ Vidi u largua, austro-hungarezët mbetën në Shqipërinë veriore dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, u përpoq të pengonte Malin e Zi dhe Serbinë për t’u shtrirë në Shqipëri. Luftëtarët shqiptarë luftuan me ushtrinë e Monarkisë, kundër Serbisë. Një kompani ushtarësh shqiptarë u arratisën në Hungari dhe e ndihmuan kryengritjen në Hungarinë perëndimore kundër austiakëve në vitin 1921. Shumë ushtarë shqiptarë të mobilizuar, mbetën në Hungari edhe pas diktatit të paqes se Trianomit – ashtu sikundër mbetën edhe shumë myslimanë boshnjakë dhe turq – dhe morrën pjesë në krijimin e Komunitetit Mysliman në Hungari, të udhëhequr nga myftiu boshnjak Duris Hilmi Hyszein, në vitin 1931. Aponyi Geraldina, konteshë Hungareze, u bë bashkëshortja e mbretit shqiptar Zogu i Parë dhe në ceremoninë e martesës mori pjesë vetë Duris Hilmi Hyszein, i cili i dhuroi mbretit Zog një maket të larë me flori që paraqiste tyrben e Gyl Baba të Budës. Sipas informacioneve që disponoj, ky objekt ruhet te Bektashinjtë shqiptarë.”
Studiuesi nga Kosova foli për rolin e udhëhëqësve shqiptarë në periudhën e shekullit XVII si dhe rënien e Abdurrahaman Abdi Pashës. Ndër të tjera, ai tha: “Shekulli i XVII ishte periudha më kritike e shtetit Osman. Shembujt e Qyprylinjve dhe Abdurrahman Abdi Pashë shqiptarit si dhe shumë personaliteteve të tjera të shekullit XVII e më pas, janë tregues shtetërorë dhe pozita nga të cilat, kontributet e tyre zgjatën jetën e shtetit edhe për një shekull.”
Në fund të aktivitetit iu dha fjala Z. Musa Serdar Çelebi – drejtues i organizatës partnere UKID. Ai kontribuoi për mbarëvajtjen e eventit, ku për z. Mehdi Gurra kishte një dhuratë të veçantë nga organizata UKID. Mes të tjerash, z. Çelebi shtoi se të tilla organizime duhen mbështetur sa më shpesh.
Ritheksojmë se në këtë sipozium ishin të pranishëm Zv/Ambasadori Republikës së Turqisë Z. Sinan Cembaş si dhe përfaqësues të trupit diplomatik, profesorë, studiues, dhe akademikë.

© 2016, fryma.org. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndihmoni në mirmbajtjen e webfaqës duke klikuar në reklamat që shafqen në mbrendi të tekstit.