MAKALAT | HAXHI BEKTASH VELI | KAPITULLI I PARË

Allahu i Lartëmadhëruar Ademin e krijoi prej katër lëndëve të ndryshme dhe e ndau në katër pjesë. Secila prej të katër pjesëve ka mënyrën e vetë të ibadetit (adhurimit), kanë katër lloje të dëshirave dhe katër gjendje të ndryshme.

E para prej katër lëndëve prej të cilave është krijuar njeriu është toka; e dyta është uji; e treta zjarri dhe e katërta ajri.

Ndërsa, për sa u përket katër grupeve njerëzore themi:

Grupi i parë janë, të devotshmit (abidët); këta janë ithtarër të sheriatit dhe origjina e tyre është prej ajrit. Ajri është shërim dhe forcë; pikërisht për këtë ky grup, ditë e natë, nuk ndahet prej adhurimit të Allahut. Nëse nuk do të frynte era drithërat nuk do tëndaheshin prej kashtës dhe e tërë gjithësia do të shkatërrohej prej erës së keqe. Për pasojë çdo gjë që është në këtë botë: hallalli (e lejuara), harami (e ndaluara), e pastërta dhe e fëlliqura dihen nëpërmjet të sheriatit. Për arsye se porta e sheriatit është portë e lartë. 

Zoti i madhëruar na e ka përmendur ekzistencën e çdo gjëje në Kur’anin e lartë:

“… s’ka të njomë dhe s’ka të thatë që nuk është në librin e qartë”. (Kur’an, VI/59)

Për pasojë, vëlla i dashur: Duhet që të përpiqemi të veprojmë ashtu si urdhëron Zoti i Madhëruar dhe të largohemi prej asaj që ndalon Ai. Pikërisht për këtë ata që veten e konsiderojnë si qenie më të përsosur, si njeri, duhet sa më shpejtë të largohen prej ndalesave të Zotit të Madhëruar. Inshaallah (nëse do Zoti) punët dhe gjendjen e këtyre
njerëzve do ta shohim në ditën e rringjalljes kur do të paraqitet njohja absolute.
Ibadetet (adhurimet) e të devotshmëve (abid) janë: falja e namazit, agjërimi, zekati, haxhi, në rast nevoje lufta në rrugë të Zotit (xhihadi), pastrimi prej papastërtisë ligjore islame (pas marrëdhënieve seksuale), largimi prej lakmive të pangopura të unit,
braktisja e kësaj bote dhe dashuria ndaj botës tjetër.
Këtu bën pjesë popullata e rëndomtë të cilët pandërprerë e ofendojnë njëri tjetrin. Në të shumtën e rasteve te këta shihet fodullëku, zilia, hidhërimi, kopracia dhe armiqësia. Përafërsisht këto janë karakteristikat e tyre.

Grupi i dytë janë, asketët (zahid). Origjina e tyre është prej zjarrit dhe këta janë ithtarët e tarikatit. Pikërisht për këtë ata duhet ditë e natë të jenë të ndezur, dhe të djegin vetveten. Çdokush që në këtë botë do të digjet, nesër në botën tjetër do të jetë i shpëtuar prej ndëshkimeve të llojllojshme. Ta dini mirë se ai që digjet njëherë nuk digjet më:


“E mos e paçit bërë, e as që do ta bëni kurrë, atëherë ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është i përgatitur për mosbesimtarët”. (Kur’an, II/24)


TREGIM


Një ditë prej ditëve Isai a.s. doli të shetitë dhe iu afrua rrëzës së një mali. Aty gjeti ujë dhe piu prej tij. Mirëpo uji ishte i hidhur dhe mali pandërprerë lëkundej. Isai a.s. në gjuhën kuptimore (hal) e pyeti malin:

– Pse ky ujë është i hidhur dhe pse ti lëkundesh pandërprerë? 

Atëherë mali iu përgjigj:

– O Ruhullah në kohën e Musait a.s. një trim kaloi pranë meje dhe e lexoi këtë ajet:

“ O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (Kur’an, LXVI,6).

Më pas mali e pyeti Isain a.s. : Ky ajet a është në Tevrat, Inxhil dhe Zebur ? 

Po ky ajet është në Inxhil, Tevrat, Zebur dhe Kur’an- iu përgjigj Isai a.s..

Pas kësaj, mali tha:

– O Isa, Inxhili është i yti, ndërsa Kur’ani i Muhammed Mustafasë. Tash o i Dërguari i Allahut! Lutja jote pranohet te Zoti, prandaj lute Zotin e Madhëruar që të më shpëtojë prej kësaj dridhjeje. 

Isa .a.s iu lut Allahut xh.sh. dhe në moment u ndërpre lëkundja e malit, ndërsa uji i hidhur i tij u ëmbëlsua. Për pasojë mali tha:

– O Ruhullah (Shpirti i Allahut)! Në krahërorin tim fle një pir; është aty që prej kohës së Beni Israilëve. Ai nuk e pa Muhammedin a.s. dhe popullin e tij. Mirëpo prej momentit që ai trimi kaloi pranë meje dhe lexoi ajetin:

“O ju që besuat, ruane veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” Piri pandërprerë është duke qarë dhe vajtuar. Ky ujë i hidhur është prej lotëve të tij. Loti i syve të Pirit u përzie edhe me shumë ujra tjerë dhe që të gjithë i bëri të hidhur. Tash, falëndermi i qoftë Zotit, falë begatisë së lutjes tënde ai e ndërpreu vajin dhe ujrat u ëmbëlsuan.

Kur Isai a.s. e pa këtë frikërespekt u habit: 

Me vete si pasuri kishte një pjatë, një shkop dhe një gjilpërë; edhe ato i dhuroi.

Pikërisht për këtë , i nderuar! Si do të shpëtojnë prej ndëshkimeve të ndryshme ata që tubojnë vetëm pasuri të kësaj bote? Si rrjedhojë Pejgamberi a.s. ka thënë:
Kjo botë është një det i thellë; Shumica e njerëzve janë mbytur në të”.
Ibadetet (adhurimet) e zahidëve(asketëve) janë: përkujtimi i pandërprerë, ditë e natë, i Allahut, thënia e bismillahirrahmanirrahimit në fillim të çdo pune, qëndrimi në mes të shpresës dhe frikës dhe kryerja e veprave të dobishme për botën tjetër. Gjendja e tyre është ilm-i ledunn (dituri e fshehtë) dhe janë të kënaqur me atë që e dinë. Ata nuk e dinë prej nga vijnë e ku shkojnë. Pasi, atyre nuk u është hapur dera e udhëzimit (metafizik). Secilën gradë e kanë arritur me përpjekjet personale. Përafërsisht këto janë karakteristikat e këtij grupi.

Grupi i tretë janë arifët (gnostikët). Origjina e tyre është prej ujit dhe bëjnë pjesë në grupin e marifetit. Uji vetë është i pastër, por edhe pastron. Pikërisht për këtë arifi (gnostiku) vetë duhet të jetë i pastër, por duhet edhe t”i pastrojë të tjerët.
Pyetje:
Në platformën e arifëve (gnostikëve) çdo fjalë ka tri anë, një pjesë të parme dhe një të prapme. Ndërsa në platformën e ithtarëve të kuptimit çdo fjalë ka shtatëdhjetë e dy anë dhe një pjesë të prapme. Të paditurit për shak të paditurisë së tyre gjithnjë e thonë anën e prapme të fjalës dhe e hedhin veten në zjarr. Mirëpo, arifët (gnostikët) e thonë anën e parme të fjalës dhe shpëtojnë prej zjarrit.

Tash, uji është i pastër dhe çdo enë në të cilën hyn uji pastrohet, gjegjësisht ena kthehet në ujë. Njëkohësisht në të nuk ngel asgjë tjetër përveç vetes së saj dhe përcaktohet ngjyra e saj. Ndotësia del jashtë saj.

Pastërtia e arifëve (gnostikëve) është e dukshme; ajo i kthehet origjinës së vetë dhe kullohet. Në platformën e arifëve (gnostikëve) politeizmi (shirku) quhet fëlliqësi; ata nuk lejojnë që ta kenë politeizmin në brendinë e tyre dhe e hedhin jashtë. Ata vetë janë të pastër, por i pastrojnë edhe të tjerët.
Si rrjedhojë duhet të dihet se ai që nuk e pastron veten nuk ka mundësi që të pastrojë të tjerët.

Nëse një fëlliqësi bie në trupin ose petkun e njeriut sheriati (ligji isam) mëson që ajo pastrohet me ujë. Uji, e pastron edhe petkun edhe trupin, e shmang papastërtinë ligjore
dhe e mundëson abdestin.Por, në platformën e arifëve (gnostikëve) petku dhe trupi nuk pastrohen vetëm me ujë, papastërtia ligjore nuk shmanget vetëm me ujë e as abdesti është i mundshëm vetëm me ujë. Për arsye se pa u pastruar pastruesi nuk mund të pastrohet petku. Pa marrë parasysh se njeriu ka nevojë për ujin; uji e mundëson abdestin; abdesti e mundëson namazin; ndërsa namazi na afron me Zotin e madhëruar. Zoti i Madhëruar dhe i Lartësuar thotë:

“ Tek Unë nuk është e pranuar gjuha që nuk më kupton Mua, trupi që nuk më adhuron Mua, adhurimi që nuk arrinë gradën e njohjes Sime”
Pikërisht për këtë i nderuar! Njeriu duhet mirë të mendohet dhe të mos ketë vepra të liga. Personi gjithnjë duhet të jetë i pastër. Njeriu ndotet atëherë kur në brendinë e tij ka vepra të djallit të mallkuar.

Nëse nuk beson, merre një enë vëndos në te verë, mbyllja grykën dhe hidhe në det. Më pas dhjetë vjet pastro pjesën e jashtme të asaj ene. Edhe pas kësaj vera në brendi të enës përsëri është ajo verë e para dhjetë viteve dhe është e papastër.
Një kuptim tjetër është ky:

Nëse në një pus bie një pikë vere, dhe ta derdhin ujin e atij pusi, ta hedhin jashtë, në vendin ku është hedhur uji të mbijë kullosë dhe atë kullosë ta hajë deleja; në botëkuptimin e njerëzve të devotshëm mishi i asaj deleje nuk hahet (është haram). Pikërisht për këtë është thënë se ndalimi dhe ndytësia e verës është për shkak të origjinës së saj demonike. Allahu i Madhëruar thotë:

“ O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar”.
( Kur’an, V/90)


Tash, i nderuari ! Mendimi i të devotshmëve është që tërë uji i pusit duhet të pastrohet nëse në të bie vetëm një pikë vere. Mishi i deles e cila kulloti në vendin ku është derdhur ky ujë u bë e ndaluar për haje (haram). Shkaku është pse në të gjendet vepra e djallit të mallkuar.

Mjerë për ty që në brendinë tënde ka shumë vepra të djallit si, qibri, zilia, kopracia, armiqësia, pangopësia, hidhërimi, përgojimi, tallja dhe maskarrallëku, si ka mundësi që ti të pastrohesh me ujë?
Atëherë dije qartë se nuk mund të pastrohesh.
Për pasojë nëse njëra prej këtyre trajtave që i përmendëm gjendet te një person, veprat e mira dhe ibadetet e tij shkojnë huq. Mjerë për gjendjen e atij që i ka të tetat.

“ E ne i kthehemi ndonjë vepre që e bënë ata dhe atë e bëjmë hi e pluhur”. (Kur’an, XXV,23)

Tash, ne themi se ky njeri është djall i vërtetë dhe djallëria e djallit është e përqëndruar në këto tetë vepra”.

I nderuar! Origjina e arifëve (gnostikëve) është prej uji dhe në brendinë e tyre nuk ka gjë të fëlliqur. Origjina e ujit është prej lëndës së gjelbërt, ndërsa origjina e lëndës së gjelbërt është në fuqinë e Allahut xh.sh..Pikërisht për këtë Zoti i Madhëruar i do arifët (gnostikët). Për arsye se origjina e tyre rrjedh prej Zotit; nuk është e çuditshme që origjinalet të duan origjinën e tyre.

Nëse do Zoti, për dijen e arifëve (gnostikëve) do të flasim kur do të diskutojmë për njohjen e vetes nga ana e njeriut.

Tash, duhet të dihet se, ibadeti i arifëve (gnostikëve) është braktisja e kësaj bote dhe tjetrës nëpërmjet meditimit; pritja e miqësisë me Zotin (velajet) dhe dëshira për afrim me Zotin. Gjendja e arifëve (gnostikëve) është që të pajtohen me qenësinë dhe të mos kapen për mendime të këqija.

Përafërsisht ky është grupi i arifëve (gnostikëve).

Grupi i katërt janë muhibët. Këta bëjnë pjesë në grupin e hakikatit (realitetit) dhe
origjina e tyre është prej tokës. Toka është simbol i kënaqësisë dhe nënshtrimit. Pikërisht për këtë edhe muhibi duhet të jetë i kënaqur dhe i nënshtruar. I dërguari i Allahut a.s. thotë kështu:

“ Çdo gjë i kthehet origjinës së vetë”.

Tash, muhibi e pyet arifin:
O arif (gnostik)! Zoti i Bekuar në Kur’anin e Lartë thotë kështu:


“Prej asaj (tokës) Ne u krijuam ju, e ju do t’u kthejmë përsëri në të, e prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë”. (Kur’an, XX/55).

Si rrjedhojë, toka kthehet në tokë, uji në ujë, ajri në ajër, zjarri në zjarr; ndërsa ti me çka do të kthehesh te Lartmadhëria e Tij? Do të thuash “ Unë kush isha më parë prap jam ai”.

Arifi përgjigjet: “ Kjo fjalë është e vërtetë dhe në të nuk ka mospërputhje. Mirëpo unë kam tre miq. Kur të vdes njëri prej tyre ngel në shtëpi, tjetri në rrugë, ndërsa i treti vjen së bashku me mua: Në shtëpi më ngel pasuria, në rrugë ngelin farefisi dhe familja ime, ndërsa me mua vijnë veprat dhe mirësitë e mija”.

Për pasojë, nëse ke moral dhe vepra të këqija, dije që kjo është për shkak se origjina i kthehet dhe i ngjanë origjinës së vete.

Ndërsa arifi e pyet muhibin:

-O muhib! Kush në realitet është i rëndësishëm babai ose nëna?

-Të shumët thonë se , nëna është bazë, kurse babai rrënjë. Por në platformën tonë babai është bazë; kurse nëna është rrënjë. Për arsye se, baza është fara, që kur hidhet në tokë bëhet rrënjë, përgjigjet muhibi.
Ibadeti i muhibëve është lutja në Zotin (munaxhat), udhëtimi kuptimor dhe vështrimi (observimi).Ata nëpërmjet ibadetit i sendërtojnë dëshirat, e gjejnë Zotin, e shkrijnë vetveten, shpirti i tyre e gjen sinajin mistik të përmalluar dhe gjendjet e tyre bashkohen dhe bëhen një.

Përafërsisht këta janë muhibët.

Muhibët përfitojnë në tre vende:

I pari, në udhëtimin kuptimor nëpër krijimtarinë hyjnore

I dyti, në lutjen që ia bëjnë Zotit

I treti, në dëshminë pas observimit (vështrimit) për hirë të dashurisë ndaj Zotit.

Nëse një muhib pyetet se si e njohe Zotin, ai do të përgjigjet:

– Zotin e njohëm prej vetes, ndërsa veten prej Zotit. Kjo nuk është fjala jonë, por një hadith (porosi) e Pejgamberit a.s. :

“ Kush e njeh veten , padyshim e njeh edhe Zotin e vetë”.

Realiteti i fjalëve të muhibit është në brendinë e njeriut. Si ka mundësi ta gjejë dikush që e kërkon diku tjetër? Pikërisht për këtë përderisa njeriu nuk e njeh vetveten si do ta njohë dhe shohë Zotin. Për pasojë Zoti i Madhëruar thotë:

“ E Ne jemimë afër tek ai se ju, por ju nuk shihni”. (Kur’an, LVI/ 85)

Ndërsa në një ajet tjetër:

“…Ne jemi më afër tij se damari i qafës së tij”. (Kur’an, L/16)

Ibadetet e abidëve (të devotshmëve), zahidëve (asketëve) dhe arifëve (gnostikëve) nuk janë në reciprocitet mes veti; ndërsa në platformën e muhibëve të gjithë janë prezente.Për arsye se abidët, zahidët dhe arifët janë ithtarë të egzoterikës, ndërsa muhibët janë përfaqësues të ezoterikës.

Tash i nderuar! Interpretimi i muhibëve është i shumtë. Mirëpo ky përkujtim i yni në lidhje me ta është i mjaftueshëm për konceptimin mendor, afrimin shpirtëror dhe tërheqjen e kujdesit të njerëzve. Tjetër çka mund të thuhet. Allahu e di më së miri të vërtetën.

(Këtu përfundon pjesa 1, të “Makalat”it, veprës së Haxhi Bektash Veliut. Përkthyer nga Prof.Dr. Metin Izeti)