MAKALAT | HAXHI BEKTASH VELI | KAPITULLI 5 DHE 6

KAPITULLI I PESTË | Ky kapitull i sqaron makamet e marifetit (gnosës)

Tash, i nderuar! Makami i parë i marifetit është edukata (edep) ; makami i dytë është frika; makami i tretë është ngrënia pak ; makami i katërt është durimi dhe pëlqimi (sabr dhe kanaat); makami i pestë është turpi ; makami i gjashtë është bujaria ; makami i shtatë është dituria; makami i tetë është vobektësia (ngratësia); makami i nëntë është ma’rifeti; makami i dhjetë është njohja e vetvetes. Për më tepër Pejgamberi a.s. thotë:
“ Ai që e njeh vetveten e njeh edhe Zotin e vet”.

KAPITULLI I GJASHTË | Ky kapitull i sqaron makamet e hakikatit (realitetit hyjnor, teokozmosit)

Tash, i nderuar! Makami i parë i hakikatit është shndërrimi në tokë. ; makami i dytë është mosturpërimi i shtatëdhjetë e dy milleteve(feve, popujve) ; makami i tretë është dorëgjerësia (shpërndarja e pasurisë që zotërohet) ; makami i katërt është: të gjithë njerëzit të jenë të sigurtë prej tij ; makami i pestë, pasi është në shtëpinë e njëshmërisë (vahdet) të përkulë kokën para Pronarit të gjithësisë (Zotit) dhe të gjejë ujin për larjen e saj (shkakun e krijimit të gjithësisë Dritën Muhammediane) ; makami i gjashtë është: në bisedë të flasë për sekretet e hakikatit (teokozmosit) ; makami i shtatë është proçesi edukativ-arsimor sufik (sejr-i suluk) ; makami i tetë është sekreti (sirr) ; makami i nëntë është lutja ( munaxhat); makami i dhjetë është takimi me Zotin e Madhëruar. Takimi është në këtë makam.

Mbreti i gnostikëve Sadettini prej fisnikërisë dhe shpirtgjerësisë së tij na ka dhuruar disa dyvargshe:

Kush e arrinë këtë makam/ Kush thuri këtë fjalë
Kush ia dhuron ekzistencën Zotit/ Tërë gjithësinë e ka në vete

Kush nuk arriti në këtë sekret/ Ai që veten nuk e thuri
Prej kësaj dashurie nuk u deh? Jetën e ka në errësirë.

Qenësia dhe hiçi janë një? Ashku dhe dashuria poashtu një
Dynjaja e ahireti një? Janë brenda dashurisë eterne.

Gnostiku pyet e thotë:
– Njëzet prej këtyre makameve janë me dëshmitarë, ndërsa njëzet pa to, pse?
Përgjigja është:
Dëshmia ka kuptim në atdheun e fjalës (kal), ndërsa në të gjendjes (hal) nuk ka. Përsëri dëshmitar ka në shtëpinë e mohimit, ndërsa në të verifikimit nuk ka; jashtë ka dëshmi, ndërsa brenda nuk ka.
Katërdhjetë makamet janë këta që u thanë. Bëhet mirë nëse i mëson menjëherë. Nëse një prej këtyre makameve mungon hakikati nuk plotësohet, pasi i mungon një kusht.
Për shembull, nëse një individ beson me gjuhë, kurse nuk beson me zemër, nuk e jep ushrin , nuk e jep zekatin e plotë, nëse kthen prap prej haxhit, nëse një prej urdhërave të Allahut e mohon, nëse e mohon profetësinë e Muhammed Mustafasë, nëse njërin prej shokëve të Muhammedit a.s. e quan të padrejtë, të gjitha veprat e tij shlyhen dhe janë të kota.

“ E Ne i kthehemi ndonjë vepre që e bënë ata dhe e bëjmë atë hi e pluhur”. (Kur’an, XXV/23)

Ja pra vëlla i nderuar! Asnjëri prej këtyre katërdhjetë makameve nuk duhet të jetë i mangët. Për arsye se asnjë lëndë nuk është jashtë katërdhjetë makameve.

“ Ne ty të shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët”. ( Kur’an, XVI/89).
“ Libër i begatshëm, ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend”. ( Kur’an, XXXVIII/29).
“ Sikur të gjithë drutë në tokë të jenë lapsa dhe sikur detit t’i shtohen edhe shtatë dete ( e të jenë ngjyrë), nuk do të mbaronin fjalët e Allahut. Allahu është ngadhënjyesi i urtë”. ( Kur’an, XXXI/27).

Tash, i nderuar! (Për ndjekësit e makameve) ka gëzim dhe lumturi:
“ Thuaj:” Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë”. ( Kur’an, III/31).

Në këtë hapësirë ka dashuri:
“ Sikur Ne ta zbritnim këtë Kur’an mbi ndonjë kodër, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga Allahu. Këta janë shembuj që u shkoqisim njerëzve, në mënyrë që ata të mendojnë”. ( Kur’an, LIX/ 21).

Kjo rrugë i ka edhe shenjat e veta:
“ Sikur të gjithë drutë në tokë të jenë lapsa dhe sikur detit t’i shtohen edhe shtatë dete ( e të jenë ngjyrë), nuk do të mbaronin fjalët e Allahut. Allahu është ngadhënjyesi i urtë”. ( Kur’an, XXXI/27).

Në te ka edhe shpresë:
“ … mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut…”( Kur’an, XXXIX/53).

Por ka edhe frikë:
“ Hipokritëve dhe hipokriteve dhe jobesimtarëve Allahu u ka përcaktuar zjarrin e xhehennemit…” ( Kur’an, IX/68).

Ka edhe argumente:
“ …Thuani atyre: dëshmoni pra…” ( Kur’an III/64).

Ka edhe gjëra të lejuara (hallall):
“ Gjahu dhe ushqimi në det u është e lejuar…” ( Kur’an, V/96).

Është e përcaktuar edhe ndalesa (haram):
“ U janë ndaluar juve( të martoheni me): nënat tuaja, bijat tuaja…” ( Kur’an, IV/23).

Ka edhe shërbim:
“ O ju që keni besuar, mos ngritni zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit…” ( Kur’an, XLIX/2).

Ka edhe virtytshmëri:
“ … e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek Allahu…” ( Kur’an, XLII/40).

Ka edhe shërim:
“ Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër pos dëshprim”. ( Kur’an, XVII/82).

Ka përgëzim:
“ … që është vërtetues i asaj që ishte më parë dhe udhërrëfyes e përgëzues për besimtarët”. ( Kur’an, II/97; XXVII/2).

Ka edhe ndëshkim:
“ ( Me shembujt që jep) Ai me të humb shumë, e po me të udhëzon në rrugën e drejtë shumë, po me përjashtim të atyre që janë jashtë rrugës. Ai me të nuk humb tjetër”. ( Kur’an, II/26).

Ka edhe mallëngjim:
“ Ai (Kur’ani) njëmend do të jetë dëshprim për jobesimtarët”. ( Kur’an, LXIX/50).

Tash, për atë që është i mençur mjafton kaq. Gjërat e tjera dihen.