Këshillat e Bukowskit për një shkrimtar të ri | Lexime fundajve

Charles Bukowski

Nëse nuk të vjen si një shpërthim nga brendësia

pa marrë parasysh asgjë,

mos e bëj atë punë!

Nëse nuk të vjen pa të pyetur fare

nga thellësi e zemrës, mendjes, gojës

rropullive të tua

mos e bëj !

Nëse do të të duhet të ulesh

e të qëndrosh me sytë ngulur për orë të tëra

mbi ekranin e kompjuterit

apo përkulur mbi makinën e shkrimit

duke kërkuar fjalën e duhur,

kjo nuk është punë për ty !.

Nëse do e bësh për para apo për famë,

lëre atë punë.

Nëse do e bësh

për të pasur gra në shtratin tënd,

as mos mendo të shkruash !

Nëse do të të duhet të ulesh mbi të

e ta shkruash dhe ta shkruash dhe ta rishkruash përsëri,

më mirë lëre atë punë.

Nëse të duket e vështirë

vetëm duke e menduar,

mos e bëj!

Nëse përpiqesh të shkruash si dikush tjetër,

mos u merr fare me të shkruarën.

Nëse ulesh aty

dhe pret që shkrimi të gjëmojë jashtë teje

dhe pret e pret dhe ai nuk del,

merru më mirë me diçka tjetër.

Nëse shkruan që sëpari t’ia lexosh të dashurës ,

të dashurit, gruas apo prindërve

ose një tjeter njeriu kushdoqoftë

ti nuk je akoma gati.

Mos u bëj si shumë shkrimtarë,

si mijera njerëz që e quajnë veten shkrimtarë

mos u bëj i zymtë, i mërzitshëm

dhe i shtirur,

mos u konsumo duke dashuruar vetveten

Bibliotekat e botës gogësijnë përgjumshëm

mbi tipa të këtij lloji.

Mos i shto ata më shumë.

Mos u merr fare me atë punë.

Për sa kohë që nuk të ka shpërthyer

nga thellësia e shpirtit tënd

si një raketë,

për sa kohë që

të qëndruarit indiferent karshi saj

nuk të bëjnë të çmëndesh apo të vrasësh veten

a dikë tjetër,

mos u merr me atë punë !

Për sa kohë që dielli brenda teje

nuk t’i ka djegur akoma rropullitë

mos e bëj .

Kur vërtet të jete koha

dhe nëse je ti ai i zgjedhuri,

ajo do të ndodhë vetë

Dhe do të vazhdojë e do të vazhdojë

derisa të vdesësh ose derisa

ajo të vdesë brenda teje.

Nuk ka asnjë mënyrë tjetër

dhe kurrë nuk ka pasur.
Përkthyer nga Kamomila
Huazur: Kultplus