Kelami dhe Islami | Pjesa Shtatë

Me vrojtimet në univers, sot është e hapur dera e skepticizmit, jo vetëm rreth një feje të caktuar, por rreth besimit në Zotin dhe fesë vetë. Kësisoj, është me vend të shqyrtohet trashëgimia e argumentave të kelāmit për ekzistencën e Zotit.
Në nivelin praktik, pjesa më e madhe e njerëzve që besojnë në Zot nuk veprojnë kështu për shkak të argumentave filozofikë, por sepse ndjejnë një prani, së brendshmi dhe së jashtmi, që frymëzon zemrat, u përgjigjet lutjeve dhe zgjidh problemet e tyre. Rishmë, muslimanët dhe të tjerët e gjejnë besimin e tyre gjithnjë e më të sfiduar nga një botë moderne ateiste. Pyetja shtrohet, a munden argumentat e kelāmit tradicional t’u përgjigjen dyshimeve moderne?
Filozofia siç mësohet sot në shumë vende përjashton argumentat tradicionale për ekzistencën e Zotit si tautologjikë, duke thënë se tinëzisht fusin konkluzionet që arrijnë duke i ngulitur në premisat. Një student i ri amerikan i filozofisë më pyeti, “si mund të besojmë me siguri se ekziston një Zot, kur logjikisht nuk ka asnjë argument pa të çara?” Ai përmendte mes argumentave të kelāmit se (a) bota është hadith ose “joautonome”; (b) çdo gjë joautonome kërkon një muhdith ose “shkak”; (c) nëse nuk ekziston një shkak i parë që është i “domosdoshëm” apo i pashkak, kjo bën të detyrueshëm një regres të pafundëm, që është absurd; dhe (d) që këtej, bota duhet përfundimisht të ketë një shkak të pashkak ose të “domosdoshëm” si origjinën e saj.
Ndërsa shkollarë si Majid Fakhry në veprën e tij Historia e Filozofisë Islame vënë në dukje se të thuash se “’joautonomja’ (hadith) kërkon një ‘shkak’ (muhdith)” është thjesht një lojë fjalësh, përgjigja për këtë mund të jetë se ndonëse forma e këtij argumenti mund të përmbajë një lojë me fjalët, nëse thellohemi në përmbajtjen e tyre, ato shprehin një marrëdhënie empirike kaq bazike për eksperiencën tonë saqë shkenca e konsideron aksiomatike. Kjo do të thotë se të ofrosh një shpjegim shkencor për një gjë është të sugjerosh një shkak të mundshëm për të dhe, më pas, të paraqesësh evidencë për shkakun specifik që sillet si “shpjegim” i saj.
Në kozmologji, për shembull, origjina e universit duhet shpjeguar në mënyrë shkakësore dhe pjesa më e madhe e shkencëtarëve besojnë se universi zuri fill rreth pesëmbëdhjetë miliard vjet më parë në një kataklizëm kozmike që ata e quajnë Big Bang. Prapëseprapë, kjo ngjarje, më interesantja dhe shkaku efektiv i të gjithave, është përjashtuar nga shkenca zyrtare sepse për të shpjeguar diçka do të thotë të sugjerosh një shkak për të. Përse Big Bang-u? Çfarë e pruri në ekzistencë dhe nuk e la në mosekzistencë? Kjo nuk është një enigmë pa vlerë, por ende mbetet një lojë me fjalët. Nëse për të shpjeguar një ngjarje do të thotë të gjesh një shkak për të, atëherë Big Bang nuk është “shpjegim” shkencor i origjinës se universit në çdo kuptim të zakonshëm të fjalës. Këtu, argumenti i kelāmit që joautonomja duhet kthyer tek e domosdoshmja është ende me vend dhe është cituar me emër në vepra si Teizmi, Ateizmi dhe Kozmologjia e Big Bang e Craig dhe Smith. Pikëpamja kozmologjike dominuese ndërmjet shkencëtarëve është se universi pati një fillim dhe kjo kërkon një shpjegim.
Një argument tjetër nga kelāmi tradicional gjallërisht i zbatueshëm sa u përket mësimeve të Islamit është “argumenti i dizajnit”, përkatësisht se kompleksiteti i shumë dukurive natyrore është shumë më analog me proceset dhe produktet e planifikuara me qëllim prej nesh se sa me ngjarjet e rastësishme. Kjo do të thotë se përkryershmëria e dizajnit në natyrë argumenton ekzistencën e një dizajneri. Njësoj si në shembullin e mësipërm, t’ua mësosh këtë argument drejtpërdrejt nga kelāmi, shumë intelektualëve muslimanë sot, veçanërisht atyre të kultivuar shkencërisht, do t’u dukej një tautologji e thjeshtë apo lojë me fjalët. Por kur mbushet me shembujt e marrë nga literatura shkencore, forca bindëse e tij bëhet e qartë.
Shembujt gëlojnë. Një prej tyre formon tezën qëndrore të veprës Just Six Numbers nga Astronomi Mbretëror Martin Rees i Cambridge. Ai ka përcaktuar se struktura e universit varet nga koinçidenca e gjashtë raporteve numerike fizike themelore, dy nga të cilat forca bazike, dy që mbajnë përmasat dhe strukturën e universit dhe dy që janë përgjegjëse për cilësitë e hapësirës. Këto gjashtë numra, me fjalët e vetë Rees, “formojn një ‘recetë’ për universin. Veç kësaj, rezultati është i ndikueshëm nga vlerat e tyre: nëse ndonjëri prej tyre do të çakordohej [ndryshimi më i vogël në vlerë numerike], nuk do të kishte yje, as jetë” (Just Six numbers (c00), 4). Nëse ndonjëri nga këto gjashtë numra do të varej prej të tjerëve, fakti se ato bëjnë të mundur ekzistencën e universit mund të jetë më pak mahnitës, por asnjë prej tyre nuk mund të parashikohet nga vlerat e të tjerëve dhe secili numër kombinohet me pagjasshmërinë e të tjerëve. E vetmja pasojë matematikisht e shpjegueshme prej kësaj është se universi që ne njohim dhe në të cilin jetojmë është i pagjasë në një shkallë absurde. Probabiliteti statistikor i bashkërrjedhjes së këtyre dy numrave është, për të huazuar shprehjen e astronomit Hugh Ross, pothuaj aq i gjasshëm sa “mundësia që një aeroplan Boeing 747 të montohet plotësisht si rezultat i një tornadoje që godet një varrezë pjesësh mekanike”. (Discover (c00), 21, no, 11).
Pagjasshmëria ngjethëse e veteve dhe universit tonë nuk është lojë fjalësh dhe tregon zbatueshmërinë e argumentit kelāmor të dizajnit për ekzistencën e Zotit.
Një shembull tjetër nga dizajni është origjina e jetës, veçanërisht më aq sa njihet sot, pas shpikjes së mikroskopit elektronik, njihen afro dhjetëra mijëra partikula të pavarura që përbëjnë edhe organizmin më të thjeshtë njëqelizor. Probabiliteti që një entitet i tillë, jo vetëm të vetëmontohet, por që njëkohësisht të montonte një aparat riprodhues të shëndetshëm për të prodhuar një tjetër realitet jetësor njëlloj të ndërlikuar, nuk e shtyn veten aq fort, sipas ço gjëje që dimë nga realiteti empirik. Kjo do të thotë se origjina e kompleksitetit funksionues përsosmërisht të artikuluar argumenton ekzistencën e një dizajni dhe dizajni ishte argument për ekzistecën e një dizajneri.[4]
Një shembull i tretë i zbatueshmërisë së argumentit të dizajnit është ai që fizicieni Paul Davies, në veprën e tij Mendja e Zotit, e ka quajtur “efektiviteti i paarsyeshëm i matematikës” kur përshkruan dhe parashikon dukurinë e botës fizike. “Paarsyeshmëria” këtu është se nëse, siç pohon shkencizmi, struktura e trurit tonë që përcakton mënyrën si e shohin realitetin është thjesht një aksident evolutiv, që me gjasë do të ishte e ndryshme nëse, të themi, do të ishim një garë alienësh të evoluar në një planet tjetër, pse kaq shumëgjë nga matematika që qe ushtruar si një ushtrim abstrakt në mendjet e matematicienëve të kulluar, në një mënyrë spektakolare ka qenë efektive në shpjegimin e botës fizike? Nëse njeriu do të ishte qindra herë më i madh se ç’është apo qindra herë më i vogël, realiteti i tij perceptiv do të kishte kaq rrënjësisht i ndryshëm sa ai nuk do t’ia dilte të zhvillonte integralet apo instrumentat e tjerë matematikë që ka zhvilluar. Por për shkak se njeriu ka dalë pikërisht i tillë, me një rastësi çuditërisht të pagjasë, ligjet matematikore të formuluara nga matematikanët e kulluar – që duhet të jenë një aksident i thjeshtë i historisë evolutive dhe kulturore të njeriut – shpesh vite të tëra pas zbulimit, del të jenë saktësisht të njëjtat ligje përmes të cilave luan natyra.
Enigma këtu është se, ndërsa nuk ekziston një avantazh i dallueshëm evolutiv në njohjen e botës përmes vrojtimit të drejtpërdrejtë empirik, ne kemi qenë pajisur me një aftësi (fakultet) të dytë pa asnjë avantazh evolutiv përzgjedhës, i cili mund të inkorporojë sistemet matematikore kuantike dhe relative në modelin tonë mendor për botën. Për Davies, këto fakte sugjerojnë se një Qenie e ndërgjegjshme e ka shifruar këtë aftësi në njerëzimin, duke e ditur se do të vijë një ditë kur ata do të arrinin një shkallë të kuptuari të universit që do t’i shpinte në përkapjen se korrespondenca e paarsyeshme e natyrës me mendimet e kulluara nuk është një rastësi, por rezultati i një dizajni madhështor.
Ka shumë shembuj të tjerë të argumentit të dizajnit, veçanërisht në ndërlikueshmërinë e marrëdhënieve simbiotike dhe parazitike ndërmjet specieve në botën natyrore, të cilat, ndërsa janë shumë të gjata për t’u trajtuar këtu, gjithaq fuqishëm provojnë përshtatshmërinë e diskutimit kelāmor për ekzistencën e Zotit.
Autor: Nuh Ha Mim Keller