Historia e mbretit dhe skllaves (Mesnevi)

Një mbret dashurohet me një skllave duke e humbur mendjen pas saj dhe e blen. Pastaj skllavja sëmuret dhe fillon të tretet çdo ditë e më shumë. I pikëlluar rëndë nga gjendja e saj, mbreti bën çmos për t’i gjetur shërim. Ai thërret mjekët më të mirë dhe u premton shpërblime të mëdha, por ata s’e shërojnë dot. Të vërtetën e sëmundjes së skllaves e kupton vetëm një “mjek ndjenjash”, sepse shkaku i sëmundjes së saj ishin ndjenjat e fshehta që i dinte vetëm ajo. Prapëseprapë, historia e mbretit dhe skllaves ka një fund të papritur nga kuptohet ideja e vërtetë e kësaj historie të pazakonshme. Dëgjoni, o miq, t’ju them një ndodhi Që duket se flet për ne vetë tani. Na ishte dikur një mbret i dëgjuar, Në fe, i parë, në pasuri, i shquar… Një ditë në të gdhirë kalin shaloi, Me shpurën pas u nis për gjah e shkoi. Në rrugë të gjerë një skllave pa pastaj E iu prish mendja, u bë skllav i saj. Si zogu në kafaz i rrihte zemr’ e shkretë, Dha mall e pará dhe e bleu shtrenjtë. E bëri për vete, ishte shumë i lumtur, Kur një ditë e dashura iu sëmur papritur. Dikush kish gomar, por s’kish samar, Gomarin ia hëngri ujku kur gjeti samar! Njëri kish një shtambë, por të thatë, Kur gjeti ujë, iu thye shtamba vetë! Dhe mblodhi mbreti mjekë nga çdo anë, Jetët tona – u tha – në duart tuaja janë! Mos më shihni mua, ajo është shpirti im, I mjeri unë, ajo është shpëtimi im! Kush ma shëron atë, do të fitojë, Thesare e margaritarë do t’i dhuroj! Dhe i thanë mjekët: Do të rrezikojmë Edhe jetët tona, të dashurën të ta shpëtojmë! Mesih është në këtë botë secili nga ne, Melheme veç e veç kemi për çdo sëmundje! U mbajtën më të madh, inshallah s’thanë, Dhe Zoti u tregoi sa të dobët janë! S’e kam fjalën për ata që s’thuan inshallah nga harresa, Por për ata që zemrat i kanë të shkujdesur nga indiferenca! Ka që me gojë “në dashtë Zoti” s’thonë, Por me “në dashtë Zoti”n në zemër janë gjithmonë! Pra, mjekët përdorën ilaçe pa numrim, Por skllavja u rëndua pa shpresë për shërim. E gjora vajzë u dobësua, u bë si një fill, Ndërsa lotët e mbretit rridhnin si Nil! Shurupi me mjaltë më keq e rëndoi, Vaji i bajames e bëri kaps, e ngushtoi.

© 2018, fryma.org. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndihmoni në mirmbajtjen e webfaqës duke klikuar në reklamat që shafqen në mbrendi të tekstit.