Çfarë funksioni kanë pasur vakëfet? | Prof. Dr. Ahmet Sherif

Shkruan: Prof. Dr. Ahmet Sherif

Osmanlinjtë që nga fillimi kanë vendosur sistem të ri të udhëheqjes me vlera të reja.

Në këtë kohë, në qytetet ballkanike, të cilët morën pamje orientale, u formuan lagje (mëhalla), në të cilat ka pasur objekte të shumta monumentale Islame, sikurse që janë: xhamitë, mesxhidet, teqetë, tyrbet, medresetë, mejtepet e tjerë. Objektet arsimore-fetare janë ndërtuar në pjesët qendrore të qyteteve, ku ka pasur edhe infrastrukturë përcjellëse të duhur.

Ndërtimi i shumë objekteve fetare islame dhe kulturore profane, në mënyrë të drejtpërdrejtë janë të lidhura me institucionet e vakëfeve dhe kanë luajtur rol të madh në zhvillimin kulturor-fetar dhe shoqëror-ekonomik të popullatës myslimane deri në fund të perandorisë Osmane. Një pjesë e madhe nga të ardhurat e vakëfeve është investuar në ndërtimin e institucioneve arsimore, medreseve dhe mejtepeve etj. Për këtë arsye nuk është e mundur të studiohet asnjë aspekt i marrëdhënieve shoqërore të përfaqësuara në jetën shoqërore-ekonomike, politike dhe sociale, posaçërisht në aspektin fetar, moral, kulturor-arsimor, si dhe në zhvillimin njerëzor të shoqërisë osmane, e ku vakëfet të mos kenë ndikuar dhe luajtur rol të madh në proceset e ndryshimeve të mëdha pozitive.

Xhamia Ullu, në Bursë të Turqisë.

Çfarë roli ka pasur kompleksi i vakëfeve në periudhën osmane

Formimi i institucionit të vakëfit në botën islame është e ndërlidhur drejtpërdrejtë me paraqitjen e Profetit Muhamed a.s. dhe predikimit të tij të filozofisë dhe fesë islame. Sipas kësaj, mësimi islam që nga fillimi vepron sipas shembujve dhe veprimeve të jetës së Profetit. Muhamedi a.s. me shembuj personalë i orientonte pasuesit e tij të themelojnë vakëfe, të cilin veprim e shpjegonte kështu: “Ju nuk do ta arrini bekimin e Zotit derisa nuk jepni lëmoshë nga ajo që e keni më të vlefshme”.

Mirëpo, në definimin objektiv të vakëfit si formë e institucionit hyjnë edhe disa elemente të cilat në mënyrë përbërëse e përcaktojnë karakterin e tij të përgjithshëm, rolin e posaçëm dhe të përgjithshëm ekonomik, rolin shoqëror-ekonomik e politik dhe aspektin kulturor-arsimor. Për zgjerimin e arsimit dhe kulturës ishin formuar shkolla, biblioteka dhe leximore me karakter të ndryshëm brenda kompleksit të vakëfeve. Për të ndihmuar dhe rregulluar jetën e njerëzve, vakëfet jepnin edhe ndihma dhe donacione financiare për ndërtimin e objekteve me karakter shoqëror, si spitale, barnatore, hamame, çezma, bunarë etj.

Teqja Bllagaj, në Sarajev të Bosne dhe Hercegovinës.

A kanë pasur dobi edhe jomyslimanët nga këto komplekse vakëfesh?

Përveç qëllimeve të numëruara religjioze, humanitare, kulturore-arsimore, vakëfi si formë shoqërore-ekonomike dhe kategori sociale, në vete përmbante edhe interes të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik. Ky konstatim për vakëfet del nga ajo se sipas natyrës dhe aktivitetit të tyre, ato kishin një rëndësi më të gjerë shoqërore, dhe me kalimin e kohës u formuan apo ndërtuan edhe objekte të tjera me interes shoqëror si: çezme, kanale, puse, mullinj, hamame-banja publike, ura, rrugë, bezistane (tregje të mbuluara), hane, sahat-kulla, posta etj. Prandaj mundemi të themi se edhe jo myslimanët i kanë shfrytëzuar këta objekte të përgjithshme.

Vakëfet, në kuadër të llojeve të ndryshme që janë, ishin të formuar për shkak të nevojave të ndryshme jetësore, më së shumti për rregullimin e nevojave fetare të popullatës myslimane. Nga këtu edhe përgjigja e pyetjes në lidhje me ndërtimin e xhamive, mesxhideve, shkollave fetare dhe mësimore të Kuranit, leximoreve, bibliotekave e tjera. Përveç kësaj, vakëfet ishin të ndërtuara gjithashtu edhe për përmbushjen e nevojave sociale dhe nevojave të tjera, dhe njëkohësisht për zbutjen e kundërthënieve mes të pasurve dhe rajës së varfër përmes ndërtimit dhe më vonë vakëfimit të bujtinave publike, kuzhinave për udhëtarë dhe tregtarë, në të cilat lirisht mund të pranoheshin pa pagesë edhe të varfër, nxënës, studentë; pastaj ndërtimin e ujësjellësve, çezmave publike, rrugëve, urave etj. Nuk ishin të rralla rastet kur vakëfet shfrytëzoheshin për ndërtimin e objekteve ekonomike siç ishin: imaretet, hanet, hamamet, tregjet dhe qendrat tregtare, zejtare dhe dyqanet.

Çarshi e mbyllët, në Stanboll të Turqisë.

© 2018, fryma.org. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndihmoni në mirmbajtjen e webfaqës duke klikuar në reklamat që shafqen në mbrendi të tekstit.