BESËLIDHJA E PARË NË AKABE | IBNI HISHAMI | PJESA 9

Një vit më pas, në haxh erdhën 12 burra nga ensarët dhe u takuan me Pej-gamberin (a.s.) në Akabe. Ishte ky takimi i parë në Akabe, në të cilin Pejgam-berit a.s. i dhanë betimin e besnikërisë sikurse betimi i grave . Kjo kishte ndodhur para se të përcaktohej lufta. Në këtë grup ndër të tjerët ishin edhe: Esad b. Zurare, Rafi b. Malik, Ubade b. Samit dhe Ebu Hejthem b. Tejjehan.

Nga Ubade b. Samit transmetohet se ka thënë:

“Isha në mesin e atyre që morën pjesë në Besëlidhjen e Parë në Akabe. Ishim 12 veta. I dhamë besë Pejgamberit a.s. sikurse besa e grave. Kjo ndodhi para se të na përcaktohej lufta. U betuam se nuk do t’i shoqërojmë Allahut asnjë rival, nuk do të vjedhim, nuk do të bëjmë prostitucion, nuk do t’i vrasim fëmijët tanë, nuk do të përhapim shpifje në mes nesh dhe se nuk do të jemi të padëgjueshëm në asnjë të mirë.”

Ai na tha: “Në qoftë se ju i përmbani kësaj, do të keni xhenetin, por nëse tradhtoni për ndonjë prej këtyre, çështja juaj i kalon Allahut të Madhërishëm. Nëse do, ju dënon, e nëse do, ju fal.”

Ibni Is’haku thotë:
Pasi u larguan njerëzit prej tij, Pejgamberi a.s. me ta dërgoi Musab b. Umejr b. Hashim b. Abdi Menafin dhe e urdhëroi që t’ua lexojë Kur’anin, t‘ua mësojë dispozitat e Islamit dhe t’i udhëzojë në zbatimin e fesë. Për këtë arsye ai në Medinë u quajt mukri’ (mësues).
Ai u printe edhe në namaz sepse pjesëtarët e fisit Evs dhe Hazrexh nuk dëshironin që t’u printe dikush që ishte nga njëri apo nga fisi tjetër.